Policia bllokon 700 fishekzjarrë me përmbajtje dinamiti

21.12.2016 16:45:14

Policia ka bllokuar fishekzjarrët me fuqi të madhe shpërthyese dhe përmbajtje dinamiti. Ato jane gjetur ne tregjet e Tiranes. Policia bën thirrje për te pasur kujdes ne ditet e festave.

“Nga kontrollet e ushtruara në tregjet industriale apo subjektet tregtuese të fishekzjarrëve, janë bllokuar nga Shërbimi Zjarrfikës rreth 700 lëndë piroteknike të një kapaciteti të lartë shpërthyes. Me këtë rast dua t’u bëj thirrje të gjithë prindërve që të mbajnë larg fëmijët e tyre nga përdorimi i fishekzjarrëve, pasi mund të sjellin pasoja të rënda për jetën e tyre. Situata paraqitet e qetë dhe nuk është shqetësuese si vitin e kaluar, megjithatë edhe kontrollet tona do të vazhdojnë deri në përfundim të festave”, tha Idriz Daulle, shef i Sektorit të Rendit në Policinë e Tiranës.

Fishekzjarrët e bllokuara janë konstatuar me përmbajtje dinamiti, ndërsa kontrollet janë ushtruar edhe për sigurinë e dyqaneve dhe magazinave ku mbahen mjetet piroteknike.

Fishekzjarrët janë të ndara me kategori për shitjen e tyre, për 12, 16 dhe 18 vjeç, ndërsa fishekzjarrë të caktuara mund të blihen vetëm nga persona të autorizuar ose licencuar.