Policia gjermane godet një bandë gjermano-shqiptare

02.08.2016 19:15:52

Policia gjermane ka arrestuar 6 pjesëtarë të një bande gjermano-shqiptare të trafikut të drogës. Gjatë arrestimit policia ka sekuestruar edhe 1 kg kokainë si dhe rreth 50 kg marijuanë.

Sipas hetuesve gjermanë, banda ka trafikuar sasi të mëdha droge nga Holanda, Italia dhe Shqipëria duke furnizuar tregun lokal.

Mbrëmjen e 11 korrikut, u arrestuan dy burra, përkatësisht 29 dhe 51 vjeç. Oficerët e policisë gjetën 1 kg kokainë në automjetin e tyre dhe më pas nga kërkimet shtesë të policisë në Wolfsburg dhe Helmstedt u sekuestruan edhe 50 kg marijuanë, e cila e gjitha bashkë në treg kap shifrën e mbi gjysmë milioni euro.

“Kjo është një goditje shumë mirë” tha Ines Herziger, drejtuesja e hetimeve nga qendra e inspektoratit në Braunschweig, dhe theksoi se hetuesit e kishin nën vëzhgim që nga janari bandën, e cila rregullisht trafikonte sasi të mëdha droge.

Me kërkesë të prokurorit, Gjykata në Braunschweig lëshoi 6 urdhër-arreste kundër anëtarëve të bandës. Policia ende nuk i ka bërë të ditur emrat e të arrestuarve, por ata ndodhen të gjithë në paraburgim.