Policia identifikon automjetin e grabitësve të bankës “TEB”

05.02.2019 17:02:19

Policia e Kosovës, ka dhënë detaje pas grabitjes së bankës “TEB”.

Policia e Kosovës, ka njoftuar se rreth orës 15:00 është grabitur nën kërcënimin e armëve filiali i bankës “TEB”, në Çagllavicë.

“Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg  veprimesh operative dhe hetimore”, thuhet më tutje në njoftimin e Policisë.

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë,  dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga katër persona të dyshuar dhe të armatosur.

Policia ka bërë të ditur se ka arritur që të bëj identifikimin e veturës së grabitësve.

“Të dyshuarit pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë e cila është identifikuar nga ana e policisë”, thuhet më tutje në njoftim.

Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar  të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre. /