Policia: Ja arsyet pse u shoqëruan dy protestuesit para parlamentit

24.11.2016 12:36:41

Policia e Tiranës jep sqarim lidhur me shoqërimin e dy aktivistëve pjesë e protestës së nisur mbrëmjen e djeshme para parlamentit kundër importit të plehrave.

Policia thotë se shoqërimi i tyre është bërë se protestuesit kishin kundërshtuar të hiqnin paletat që kishin vendosur gjatë natës.

Policia informon:“Rreth orës 23:00, të datës 23.11.2016, siç ishte kërkuar në kërkesë kanë filluar të afrohen rreth 30 persona, përpara Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

Nga shërbimet është vënë re se këto persona kishin me vete paleta, të cilat nuk ishin përcaktuar në kërkesën e bërë nga “ZQMM”.

Është marrë takim me disa nga personat e ndodhur ne vend si dhe me shtetasin Sazan Guri, me të cilët është rënë dakord që këto paleta të qëndronin aty deri në orën 06:00 të datës 24.11.2016, me qëllim për të kaluar natën tubuesit dhe të hiqeshin nga vetë ata.

Në afrimin të orës 06:00, nga ana e shërbimeve të Policisë i është kërkuar disa herë heqja e paletave siç ishte rënë dakord një natë më parë.

Organizatorët e këtij tubimi kanë kundërshtuar disa herë për heqjen e paletave duke mos i’u përmbajtur marrëveshjes së bërë një natë më parë.

Rreth orës 07:00, nga ana e Policisë është ndërhyrë për heqjen e këtyre paletave, por kanë hasur në kundërshtim prej tubuesve dhe si pasojë janë shoqëruar shtetasit Oltion Z., 31 vjeç dhe Irel E., 31 vjeç

Policia informon se kërkesa për leje tubimi është bërë  nga “Zyra Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit, ZQMM.

Ky Tubim do të zhvillohej nga ora 23:00 e datës 23.11.2016 deri në përfundim të Seancës Plenare më datë 24.11.2016. Në këtë kërkesë ishte përcaktuar vetëm qëndrimi i disa shtetasve të cilët janë kundra miratimit të Ligjit të Mbetjeve.