Policia: Janë të pavërteta pohimet se u përdorur dhunë ndaj 7 të arrestuarve në Mitrovicë

03.03.2018 22:02:41
Policia e Kosovës, rajoni i Mitrovicës, ka reaguar pas raportimeve të disa studentëve se është përdorur dhunë ndaj tyre në momentin e arrestimit pasi që shkruan parulla kundër prodekanës së Universitetit “Isa Boletini”, Lumnije Thaçi.

Policia i ka arrestuar sot në Mitrovicë 7 persona të Lëvizjes Studentore SKV, organizatë e afërt me Vetëvendosje, pasi që të njëjtit shkruanin parulla kundër zgjedhjes së Lumnije Thaçit prodekane të Universitetit të Prishtinës.

Policia thotë se pohimet se kinse është përdorur dhunë ndaj tyre, janë të pavërteta.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Duke respektuar të drejtën e secilit, për t’u shprehur lirshëm, Zyra për Informim Publik në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë, me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, sqaron rrethanat e arrestimit të shtatë personave në cilësi të të dyshuarve për Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike.

Sot me datë 3 mars 2018, në ora 15:45, Policia në Mitrovicë ka pranuar informacionin se një grup prej rreth 20 personash po shkruanin mbishkrime te ndryshme në ndërtesën e Universitetit Publik “Isa Boletini” në Mitrovicë.

Njësitet policore i janë përgjigjur rastit dhe kanë dal në vendin e ngjarjes, me ç’rast jane sekuestruar dy boca sprejë/ngjyrë, janë arrestuar shtatë persona dhe gjatë realizimit të detyrave njëri nga të dyshuarit ka shfaqur sjellje agresive dhe policia konform parimeve dhe procedurave për ta vënë nën kontrollë situatën ka perdorë sprejin lotsjellës të cilit person menjëherë edhe i është ofruar trajtimi mjekësor.

Prandaj, ju informojmë se pohimet, kinse Policia ka përdorur dhunë ndaj të arrestuarve nuk qëndrojnë dhe janë të paverteta, të gjitha veprimet e ndërmarra policore kane qenë sipas procedurave, në proporcion me situatën e paraqitur dhe konform autorizimeve ligjore.

Policia vazhdon të mbetet e përkushtuar në mbajtjen e rendit dhe qetësisë publike,  zbatimin e ligjit dhe në realizimin e të gjitha detyrave dhe obligimeve konform autorizimeve të parapara me ligj.

Me respekt

Zyra për Informim Publik

Drejtoria Rajonale e Policisë, Mitrovicë