Policia: Kallëzim penal ndaj shoferit që shkaktoi aksident me veturën e Kryeprokurorit të Shtetit

25.12.2016 15:16:35

Prokuroria në Pejë është duke vazhduar hetimet lidhur me aksidentin e ku u përfshi prokurori i shtetit, Lulzim Sylejmani, i cili ndodhi një ditë më parë.

Prokurori kujdestar, Esat Muharremi, ka konfirmuar se janë duke vazhduar hetimet në rastin e aksidentit, i cili ndodhi dy ditë më parë në fshatin Dollc të Komunës së Klinës.

Muharremi ka thënë se deri më tani dihet se vetura nuk ka arritur ta zë kthesën dhe është rrokullisur. Prokurori më tutje ka thënë se në bazë të informatave që i ka pranuar nga hetuesit në vendin e ngjarjes, dyshohet se shpejtësia e veturës ka qenë e madhe e cila edhe bëri që vetura të dalë nga rruga.

Ndërkohë, mësohet se të aksidentuarit nuk janë në rrezik për jetën, edhe përkundër se dje, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, përmes një komunikate për media, tha se ngasësi i makinës ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku tani është duke u trajtuar në Klinikën e Ortopedisë në QKUK në Prishtinë, ndërkaq prokurori Lulzim Sulejmani nga QKUK-ja është transferuar për trajtim jashtë vendit, pasi që është lënduar rëndë.

Ndërsa zëdhënësi i Policisë në Pejë Xhevat Ibra, ka thënë se do të bëhet kallëzim penal ndaj shoferit i cili besohet se e shkaktoi aksidentin si shkak i pakujdesisë.