Policia kontrollon 235 lokacione të lojërave të fatit, mbyllen 35 lokale dhe konfiskohen 118 aparate

22.03.2019 19:06:15

Policia e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media ka treguar realizimin e një operacioni policor i cili është realizuar në shkallë vendi ndaj lojërave të fatit.

Në konferencë do të marrin pjesë zyrtarë kompetentë nga Policia e Kosovës, nga Dogana e Kosovës dhe ATK-ja.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se Policia ka filluar një operacion të gjerë për kazinotë në mbarë vendin.

Drejtori i Divizionit kundër krimit të organizuar, Agron Nezaj, ka thënë se Policia e Kosovës në aksionin e marrë ka kontrolluar 235 lokacione në mbarë Kosovën.

Nezaj ka thënë se në operacion kanë marrë pjesë mbi 1000 zyrtarë, përfshirë Policinë, ATK-në e Doganën.

“Policia e Kosovës muaj më parë ka bërë inicimin e hetimeve rreth lojërave të fatit. Inicimi i këtyre hetimeve është bërë me udhëheqjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës , për shkak të veprave penale si: organizimi i skemave piramidale të bixhozit të paligjshëm, shmangia nga tatimi, si dhe kontrabandimi me mallra. Si rezultat i këtyre hetimeve, Drejtoria për krimin e organizuar së bashku me Drejtorinë për krime ekonomike dhe korrupsionin, sot ka realizuar një operacion në shkallë vendi përfshirë të gjitha regjionet e Kosovës. Ky operacion ka përfshirë inkuadrimin e mbi 1000 zyrtarëve qoftë nga Policia, Dogana, ATK”, ka thënë ai.

Sipas tij janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit dhe janë konfiskuar 118 aparate.

” Në Prishtinë janë kontrolluar 65 lokacione, Mitrovicë e Jugut 22 lokacione, Mitrovica e Veriut 21 lokacioni, regjioni i Pejës 25 lokacione, regjioni i Gjakovës 12 lokacione, regjioni i Ferizajt 34 lokacione, regjioni i Gjilanit 27 lokacione, në total janë kontrolluar 235 lokacione të ndryshme. Operacioni është në vazhdim e sipër. Deri më tani kemi këto rezultate: nga ATK janë mbyllur 35 lokale të lojërave të fatit, si dhe Dogana e Kosovës deri më tani ka konfiskuar 118 aparate të lojërave të fatit”, ka thënë ai.

Ndërsa sot në Kuvend është miratuar me 74 vota për, projekt rezoluta që fillimisht i pezullon lojërat e fatit dhe brenda 30 ditëve Qeveria të sjell ligjin në Kuvend që i ndalon këto./