Policia po verifikon mesazhin kërcënues të grupit “Rugovasit” ndaj Mustafës

08.10.2016 19:41:29

Policia e Kosovës thotë se ka pranuar një informacion lidhur me një e-mail kërcënues të grupit të ashtuquajtur “Rugovasit”.

Në email-in dërguar disa mediave, ky grup thotë se ka vendosur një predhë tek varrezat në lagjen “Dragodan” të kryeqytetit.

Ata thonë se këtë po e bëjnë për shkak të kundërshtimit të ratifikimit të marrëveshjes së demarkimit të kufirit me Malin e Zi, duke e porositur kryeministrin e Kosovës Isa Mustafa “që të mos gabojë e ta kthejë Demarkacionin në Parlamentin e Kosovës”.

Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha i ka thënë KosovaPress-it se policia e Kosovës me të pranuar informacionin për email-in kërcënues, ka ndërmarrë menjëherë veprimet për verifikim.

Ai tha se deri në këto çaste nuk është raportuar të jetë gjetur ndonjë mjet i dyshimtë, por se ka shtuar policia është duke punuar në vazhdimësi rreth këtij rasti.

“Policia e Kosovës është në dijeni për e-mailin kërcënues dhe bazuar në informacione që posdon, veprime respektive janë ndërmarr menjëherë për verifikim dhe në vazhdimësi po punohet nga njësitet relevante”, tha Hoxha.

Grupi “Rugovasit” përmes e-maileve disa herë ka marrë përgjegjësinë për sulmet me bomba në Prishtinë, duke përfshirë atë ndaj Parlamentit të Kosovës,

Në mesazhin elektronik dërguar mediave gjatë ditës së sotme, ky grup është shprehur:

Isa Putini po tenton me kthy demarkacionin. I bojm thirrje mos me gabu me kthy. Jo rasisht te vorret ne Prishtine e kem lon ni predhe, te prroni ne jug te vorreve. I bojm thirrje edhe gjithe deputetve mos me gabu mifal tokat tona.