Policia tregon se si u arratis turku nga aeroporti i Rinasit

08.08.2016 23:15:07

Policia e Shtetit ka sqaruar arratisjen e shtetasit turk nga aeroporti i Rinasit. Në një deklaratë për mediat, pas akuzave të bëra nga Partia Demokratike për këtë ngjarje, policia thekson se turkut me inicialet I. E. i është refuzuar hyrja për Shqipëri, pasi nuk justifikonte qëllimin e udhëtimit.

Policia thotë se ai u transferua përkohësisht në zonën e transitit, deri në përfundim të procedurave për kthimin e tij në Stamboll.

Duke përfituar nga fluksi i madh i pasagjerëve ai ka dalë duke kaluar tek zona e kontrollit të pasagjerëve dhe më pas ka hyrë ilegalisht në Shqipëri.

Dokumentet e identifikimit të shtetasit turk ndodhen tek oficeri i Policisë kufitare pasi oficeri po plotësonte dokumentacionin përkatës. Turku nuk rezulton person në kërkim apo me probleme me drejtësinë.

Gjatë ditës ishte, Partia Demokratike që nëpërmjet një deklarate ka denoncuar arratisjen e turkut. Sipas PD-së, atij i ndalohej hyrja në Shqipëri, por në momentin e dorëzimit të pasaportës ka arritur të largohej nga kontrolli kufitar edhe pse mbahej nën vëzhgim.