Policia zbulon drogë në Bulqizë, trafikantët qëllojnë me armë, arratisen me motor

30.04.2017 14:21:15

Një tjetër sasi kanabisi është kapur nga policia mbrëmjen e djeshme gjatë një aksioni anti-drogë.

Rreth orës 23.30 në zonën kufitare Viçisht (territor i Bulqizës-kufi me Maqedoninë), shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë patrullimit në  kufirin e gjelbër   kanë konstatuar një motorr dhe një automjet që po lëviznin me shpejtësi  në drejtim të kufirit me Maqedoninë.

Policia ka tentuar të ndalojë motorrin dhe më pas automjetin por nuk ka mundur pasi janë larguar me shpejtësi duke rrezikuar jetën e  punonjësve të patrullës  së Policisë.

Gjatë momentit të largimit me shpejtësi, dyshohet se pasagjeri i motorit ka qëlluar me armë zjarri në ajër.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje dhe kanë kërkuar përforcime.

Si rezultat i ndjekies dhe kontrollit të zonës është bërë e mundur që  në një rrugë dytësore, policia të gjejë dhe bllokojë automjetin si dhe të arrestojnë në flagrancë drejtuesin e automjetit dhe pasagjerin që udhëtonte me këtë mjet.

Po në vijim të kontrollit të zonës, në afërsi të automjetit janë gjetur dhe sekuestruar 4 thasë, ku brenda tyre kishte 15 pako më lëndë narkotike , gjithësej rreth 105 kilogramë marijuanë.

Ndërkohë vijon kontrolli i zonës për gjetien e motorrit dhe kapjen e dy personave që qarkullonin me të.

Të arrestuarit janë Ridjan Miftari, 26 vjeç, banues në Gjoricë Bulqizë, (drejtues i automjetit me të cilin transportohej lënda narkotike) dhe B. I., 17 vjeç, banues në Zall-Strikçan, Zerqan (pasagjer në automjetin që transportohej lënda narkotike).

Gjithashtu janë shpallur në kërkim e A.XH, dhe B.O.

Grupi hetimor sekuestroi 105 kg lëndë narkotike marijuanë, automjeti tip “Fiat”, si dhe dy telefona celularë.