Politika amerikane dhe bota shqiptare në gadishullin Ilirik

26.09.2018 09:28:29

Nga Spartak NGJELA

Pyetja që duhet të ngrihet këtu është kjo: pas konsolidimit të pavarësisë së Kosovës dhe krijimit të federatës shqiptaro-bullgare në Maqedoni, e cila duket se është në proces, a do t’iu drejtohet USA edhe shqiptarëve të Greqisë për t’iu dhënë atyre të gjitha të drejtat e mohuara nga ardhacakët e Mikroazisë dhe të një kishe greke që ka afër 150 vjet që është një detashment ushtarak i ngritur kundër shqiptarëve dhe gjuhës shqipe?

Po Vatikani a do t’i ekspozojë të gjitha dokumentet në mënyrë që të rishkruhet historia e shqiptarëve ashtu siç ka qenë, një heroikë antiosmane dhe në mbijetesë nga lufta shfarosëse që kanë dashur t’i bëjnë Arbërisë me asimilim rusët, serbët dhe osmanët?

Politika Austrohungareze ishte e para ajo që e kapi që, me përjashtim të kroatëve dhe sllovenëve, politika sllave në Ballkanin Perëndimor ishte kryekëput antiperëndimore, sepse drejtohej tërësisht nga Rusia.

Por, ishin austriakët dhe gjermanët gjithashtu që e kapën të parët se vetëm shqiptarët janë faktori vendimtar që Perëndimi të fitonte luftën kundër Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë ishte dhe ndërhyrja amerikane që e mposhti valën më të madhe antishqiptare të traktatit të Londrës për aneksimin tërësor të territoreve të Shqipërisë dhe shuarjen e saj si shtet.

Ndërkaq, duhet të themi se e gjithë historia e Gadishullit Ilirik, që nga viti 1100 e deri më sot, ka qenë vazhdimisht një luftë kundër arbërit dhe gjuhës shqipe.

Pikërisht këtu, te shqiptarët, është mbështetur sot edhe filozofia amerikane për shkatërrimin e prezencës ruse në këtë zonë. Se pyetja mbetet të jetë kjo : me kë do të jenë pesëmbëdhjetë milionë shqiptarët e Gadishullit Ilirik?