Politika po shkatërron agjencitë e pavarura

03.03.2018 11:32:27

Agjencia Kosovare e Akreditimit ditë më parë është larguar nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Arsyetimi i EQAR-it ka qenë që kjo agjenci është shkarkuar për arsyen se ka pasur ndikim nga politika në lidhje me emërimet dhe shkarkimet, pavarësisht se kjo agjenci duhet të ishte e pavarur.

Këtë gjë e kanë konfirmuar edhe zyrtarë nga Agjencia Kosovare e Akreditimit. Sipas tyre, arsyeja pse kjo agjenci është larguar nga kjo organizatë ka qenë cenimi i pavarësisë në rastin kur shkarkohet bordi i saj, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Zyrtarë në Qeverinë e Kosovës kanë pranuar se emërimet e reja në Bordin e kësaj agjencie janë bërë me propozim të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ndërsa kryeministri i ka miratuar këto emërime duke i proceduar kështu për votim në Kuvendin e Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur.

Po ashtu njëjtë mendojnë edhe zyrtarë në Komisionin për Arsim në Kuvendin e Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se njëri ndër shkaqet e këtij përjashtimi ka qenë ndërhyrja e politikës në emërimet e kësaj agjencie. Po ashtu ata kanë bërë të ditur se janë duke punuar dhe shpresojnë që AKA-ja të rikthehet në listën e kësaj organizate.