Politikanët në Beograd: Edhe zyrtarët serbë t’i përkulen viktimave shqiptare

24.07.2016 09:01:28

Pas vizitës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në fshatin Grackë e Vjetër të Lipjanit, ku ka vendosur kurorë lulesh në pllakën përkujtimore kushtuar 14 qytetarëve të komunitetit serb të vrarë menjëherë pas luftës, 17 vite më parë, vazhdojnë reagimet nga Beogradi.

Branko Ruzhiq, nënkryetar i Partisë Socialiste të Serbisë, në një deklaratë për të përditshmen beogradase “Danas”, ka thënë se edhe zyrtarët serbë duhet t’u bëjnë homazh viktimave shqiptare të Kosovës dhe “të gjithë viktimave të tjera të pafajshme”, transmeton Telegrafi.

Ruzhiq është shprehur se serbët duhet t’u bëjnë homazh viktimave shqiptare të luftës në Kosovë, sepse sipas tij, ky është “një obligim për të gjithë njerëzit me dinjitet dhe moral”.

Ai ka shtuar se ky është para se gjithash një obligim për të gjithë politikanët me vizion, pra që t’u përkulen të gjitha viktimave të pafajshme dhe të bashkëndjejnë me familjet e tyre.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, Goran Jeshiq, ka thënë se Serbia duhet të procedoj të gjithë të dyshuarit për krime lufte ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Kjo është porosia! Zyrtarët serbë do të duhej të dënonin çfarëdo lartësimi të krimeve dhe të kriminelëve. Për shembull, lartësimin e figurës së Ratko Mlladiqit në Novi Beograd apo pranimin në parti politike dhe promovimin e kriminelëve të luftës”, theksoi Jeshiq.

Ndërkaq, publicisti kosovar, Shkëlzen Maliqi, ka thënë për “Danas” se çdo krim dhe akt terrorist duhet quajtur me emrin e vërtetë, dhe edhe pse bëhet fjalë për një krim që është kryer shtatëmbëdhjetë vite më parë, asnjëherë nuk është vonë që t’u bëhet homazh i merituar viktimave.

Maliqi ka thënë se qëllimi për të cilin ai (Thaçi) si njëri prej komandantëve të UÇK-së ka luftuar nuk ka qenë që të vriten serbë dhe fqinjë, por çlirimi i Kosovës dhe vendosja e një sistemi demokratik dhe të drejtë në të cilin askush nuk do të diskriminohet.

“Me këtë gjest, Hashim Thaçi pa dyshim se ka treguar që ai nuk dëshiron të jetë kryetar vetëm i shqiptarëve, por se është kryetar i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Thaçi kurrë nuk i ka bërë homazh vetëm viktimave të Grackës së Vjetër, por edhe të gjitha viktimave serbe në Kosovë, madje pa kushte, duke mos marrë parasysh shkallën e atij terrori dhe krahasimin me terrorin nga pala tjetër”, ka thënë Maliqi për të përditshmen beogradase “Danas”.

Maliqi ka përfunduar duke pyetur se pse dikush që dëshiron që në shtetin e tij të dënojë të gjitha krimet dhe të pajtojë shqiptarët dhe serbët, duhet që detyrën e tij morale dhe shtetërore ta kushtëzojë me hipokrizinë e zyrtarëve në Serbi.