Politikanët serbë thonë se çështja e murit do të zgjidhet shpejt (Video)

26.01.2017 20:33:00

Ishte kryetari i parë i Komunës së Graçanicës, nën sistemin e shtetit të Kosovës.

Por Bojan Stojanoviq, mund të kthehet prapë në këtë detyrë.

Kjo pasi politikani që për 3 vjet humbi nga skena, të enjten u rishfaq kur iu kthye Partisë së Pavarur Liberale.

Ai vuri firmën me kryetarin e SLS-së, duke bërë që Lidhja e serbëve të Kosovës, si subjekt të shkrihet në partinë e Slobodan Petrvoviqit, nënkryetarit të parlamentit kosovar.

Këtë deklarim e rikonfirmoi vetë Petroviq, i cili thotë se partisë së tij po i kthehen  njerëzit dhe kjo po ndodhë në vitin kur mbahen zgjedhjet lokale. Vetë Stojanoviq, nuk mohoi mundësinë që të rikandidojë për kryetar të Graçanicës.

Kurse kreu i liberalëve të pavarur, sqaroi se nuk është i kënaqur me situatën aktuale e me bojkotin që Lista Serbe po ua bën institucioneve.

I pyetur për rastin e ngritjes se murit në Mitrovicë nga bashkëkombësit e tij, Petroviq thotë se ky rast zgjidhet shpejt

Partia e Pavarur Liberale ishte formuar më 2006, duke u bërë që nga atëherë subjekti i serbëve të Kosovës, që janë integruar në sistemin e shtetin e Kosovës. Gjatë kësaj kohe, shpesh ka mbajtur edhe pozita të larta në Qeveri.