“Popullsia do të infektohet, nuk fshihemi dot përgjithmonë”, parashikimi i studiuesit britanik

10.04.2020 08:43:39

Përplasjet rreth izolimit për shkak të koronavirusit në Britani u intensifikuan mbrëmë pasi një këshilltar shkencor i qeverisë deklaroi se vendi “nuk mund të fshihet përgjithmonë” nga sëmundja.

Rupert Shute, zëvendës këshilltari shkencor në Home Office parashikoi që 80 përqind e njerëzve do ta marrin sëmundjen për cdo rast.  Duke folur me zyrtarët e pasaportave në përpjekje për t’i nxitur ata të kthehen në punë, Shute tha që ndërsa qëndrimi në shtëpi ishte i rëndësishëm, “edhe ne duhet të vazhdojmë të funksionojmë jetën tonë”.

Komentet e tij do ta ushqejnë më shumë debatin nëse Britania ka ndjekur vërtet një strategji “imuniteti të tufës” dhe për sa kohë duhet të zgjasë karantina. OBSH-ja ka paralajmëruar për një recession të thellë ekonomik si pasojë e kësaj situate, ndaj disa ligjvënës vendas, kërkojnë zbutjen e izolimit.

Por Sekretari i Jashtëm Dominic Raab, i cili po drejton ekzekutivin përkohësisht, në vend të kryeministrit Boris Johnson të sëmurë me koronavirus, tha se masat e kufizimit të lëvizjes do të vazhdojnë edhe javën tjetër, duke pohuar se është ende “shumë herët” për t’i hequr ato.

Megjithatë, Raab shtoi se shkencëtarët dhe ministrat shpresonin të kishin prova të mjaftueshme deri në fund të javës tjetër, për të filluar vlerësimin se sa do të duhet të zgjasë kjo gjendje.