Porta e pasigurt, gjigandët e Seria A mendojnë për Thomas Strakoshën

28.08.2018 23:33:19

Samir Handanoviç është kritikuar shpesh gjatë sezonit të kaluar, për paraqitje nën nivelin e pritshmërive ndaj tij, kritika që u rikthyen sërish pas ndeshjes me Torinon.

Portieri slloven i zikaltërve gaboi në mënyrë të çuditshme në golin e parë të “granatave”, ndërsa te goli i dytë mund të bënte më shumë, pasi ishte një gjuajtje e evitueshme.

Portali spanjoll “fichajes.net” ka shkruar mbrëmjen e sotme se Piero Ausilio ka nisur nga puna për të gjetur një pasues të sllovenit verën e ardhshme dhe në listë ka tre portierë.

Bëhet fjalë për Alphonse Areolën e PSG-së, i mbetur në stol pas vajtjes në Paris të Buffonit, Thomas Strakoshën e Lazios dhe Andre Onana i Ajaxit.

Të tre këta portierë janë rreth të 23-tave dhe përfaqësojnë një siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen, pasi do të siguronin katërkëndëshin zikaltër për të paktën 10 vitet e ardhshme.

Vëmendja më e madhe është ndaj portierit të kombëtares shqiptare, Thomas Strakosha, i cili ka shkëlqyer në dy sezonet e fundit në Serinë A dhe sponsorizohet edhe nga holandezi De Vrij, me të cilin ka luajtur deri para pak muajsh.