POSTA NDERON OLIMPISTËT KOSOVARË

29.07.2016 19:32:32

Posta e Kosovës ka lëshuar të premten në qarkullim dy pulla postare për nder të pjesëmarrjes së parë të sportistëve të Republikës së Kosovës në Lojërat Olimpike.

Me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha ka prezantuar edicioni e ri të pullave në një ceremoni të mbajtur së bashku me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).

Kryeshefi ka përgëzuar KOK-un dhe të gjithë sportistët që pas një rruge të gjatë e të mundimshme arritën të realizojnë ëndrrën e tyre për pjesëmarrje të barabartë në Rio 2016 duke theksuar se kjo është një e arritur jashtëzakonisht e madhe jo vetëm për sportistët tanë të talentuar, por edhe për popullin dhe shtetin e Kosovës.

“Presim me padurim që ekipin Olimpik të Republikës së Kosovës ta shohim duke parakaluar në mesin e të gjitha shteteve të botës.  Sporti dhe sportistët e suksesshëm janë ambasadorët më të mirë të një vendi, ata që ndikojnë në përmirësimin e imazhit dhe reputacionit të një shteti”, ka thënë kryeshefi Hoxha.

Në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për suksesin e sportistëve kosovarë, kryshefi Hoxha u ka dhuruar presidentit të KOK-ut, Besim Hasani dhe kampiones Majlinda Kelmendi, pullat postare të punuara në pllakë bronzi. Gjithashtu, ekipit olimpik i janë dhuruar njëqind pulla postare.

Kryeshefi i Postës ka uruar olimpistët të arrijnë suksese maksimale në Rio 2016 dhe të stolisën me medalje.

Filatelia e Postës së Kosovës edhe në të ardhmen do të nderojë dhe promovojë të arriturat në sportin kosovar.