Postulati themelor i filozofisë politike të presidentit Rugova ishte liria, e jo përçarja kombëtare dhe lufta vëllavrasëse e nxitur nga strukura të dala nga takimi Nano – Milosheviq në Kretë

14.03.2019 11:35:12

Nga Rexhep Kastrati

Liri, Pavarësi Demokraci nuk është vetëm një shprehje me tri fjalë -emërtime, por është motoja identifikuese e filozofisë politike të presidentit Rugova, është shprehja sintetike e thelbit tl kësaj filozofie, të cilën ata që nuk e kuptojnë, ose nuk duan ta kuptojnë, e mohojnë si të tillë.

Ashtu sikurse shprehja: Liri, Barazi, Vëllazëri (frengjisht: Liberté, égalité, fraternité, ose anglisht:liberty,equality, fraternity) që u bë moto e një epoke të tërë filozofike, politike e kombëtare franceze, që rezultoi me Revolucionin Borgjez Francez të vitit 1789, edhe motoja Liri, Pavarësi, Demokraci ishte moto e një lëvizje politike, kulturore e shtetërore të Kosovës.

Si e këtillë, ajo ngërthente të gjitha aspektet filozofike, politike, kulturore e shtetërore që ngërthejnë këto tri elementet e kësaj motoje, pra të të gjitha formave të Lirisë, të Pavarësisë e të Demokracisë, e jo siç interpretohet nga ata që nuk e kuptojnë, ose që kanë qëllim destruktiv jo vetëm ndaj saj, por në përgjithësi ndaj vetë lirisë, pavarësisë e demokracisë.

Në filozofinë politike të presidentit Rugova, pra edhe në praktikën politike, intstitucionale e organizative, janë përfshirë dhe janë zbatuar të gjitha mënyrat për arritjen e lirisë, pavarësisë e demokracisë, për në kuadër të një strategjie shumëdimensionale dhe të plotë.

Në këtë kontekst, që në fillimet e saj, në kuadër të lëvizjes politike Liri, Pavarësi, Demokraci, janë bashkërenduar veprimet politike, diplomatike dhe ushtarake, e që do të thotë se të gjitha këto janë realizuar në përputhje me strategjinë e përgjithshme.

Prandaj, krahas angazhimeve politiko-diplomatike, që në fillim janë bërë hapa të rëndësishëm edhe në format e angazhimit të rezistencës së armatosur.

Pra, jo që nuk ka pasur ndonjë herë qasje refuzuese ndaj formave të rezistencës së armatosur, por përkundrazi janë mbështetur, janë organizuar dhe janë mbikëqyrur nga lëvizja politike Liri, Pavarësi, Demokraci në krye me presidentin Rugova.

Grupet guerrile që janë shfaqur që më 1991, kohë kur me nismën e degës së LDK-së në Gjermani, përkatësisht të Sali Çekajt dhe me mbështetjen e presidentit Rugova, i cili atë vit kishte pasur një takim me Ramiz Alinë për këtë çështje, kishin filluar stërvitjet e organizuara ushtarake në kampet ushtarake të shtetit shqiptar.

Gjatë tërë këtyre viteve, pra deri me rënien e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut nga Grupi i Llapit, dhe i Adem Jasharit e Hamzës me familje nga Grupi i Drenicës, rezistenca e armatosur ishte bërë në kuadër të organizimit politiko-institucional dhe me mbështetjen e plotë, edhe financiare nga LDK.

Edhe kur filluan masakrat serbe në Kosovë, më 1998, dhe kur u shfaq një strukturë politiko-ushtarake e quajtur UÇK, presidenti Rugova dhe lëvizja politike Liri, Pavarësi, Demokraci nuk kanë mbajtur qëndrim refuzues, edhe pse si strukturë drejtuese ishte e dyshimtë, ashtu siç do të dalë vite më vonë.

Ëdhe pse kjo strukturë e dalë pas takimit Nano – Milosheviq në Kretë, në dhjetor 1997, nuk kontrollonte gjithë formacionet ushtarake në Kosovë, dhe që në fillet e saj ishte paraqitur jo vetëm refuzuese ndaj organizimit politiko-institucional të Kosovës në krye me presidentin Rugova, megjithatë as vetë presidenti Rugova, e as LDK dhe partitë tjera shqiptare në Kosovë jo që nuk refuzuan, por përkunadrazi në verën e vitit 1998, me vendim të Kuvendit të Kosovës, e njohu UÇK-në si ushtri shtetërore të Kosovës, e cila pas takimit të ministrit të Mbrojtjes, kolonel Ahmet Krasniqi me Adem Demaçin në Oslo, do të duhej të ishte në kuadër të strukturave shtetërore ushtarake.

Kryetarë degësh, veprimtarë të tjerë të LDK-së u bënë bartës të luftës çlirimtare dhe ka prej tyre që kanë rënë edhe në altarin e lirisë, kurse në aspektin institucional, presidenti Rugova kishte themeluar fondin e Emergjencës në krye me Selatin Novosellën për të ndihmuar zonat e luftës dhe qytetarët në ato zona.

Edhe qytetarët që mblidheshin në qytete të ndryshme të Kosovës, kërkonin unitet Rugova – UÇK, e që ishte nj mesazh i qartë edhe për strukturat e dala pas takimit Nano – Milosheviq në Kretë, se UÇK-në e shihnin pjesë të strukurës shtetërore të Kosovës në krye me presidentin Rugova.

Të gjitha këto janë realitete që janë të njohura dhe të ditura që në fillim dhe në vazhdimësi, edhe pse dikujt i janë dashur 21 vjet për ta thënë këtë, sigurisht me tendenca të qarta për të rishkruar historinë sipas kutit dhe interesave grupore, klanore etj.

Dhe një nga qëllimet, duket se është edhe tendenca për të përfshirë në kuadër të strukturave të dala pas takimit Nano – Milosheviq në Kretë, edhe organizimet guerile nga viti 1991, pasi që ende nuk po guxojnë të japin një datë të saktë se kur na qenkësh themeluar UÇK.

Një arsye tjetër mund të ketë të bëjë me faktin se individë apo struktura duan të fshihen pas emrit të presidentit Rugova, duke kapërdirë gjithë ato që kanë thënë kundër tij.

Është për të theksuar se në krye të angazhimeve janë vënë shokë të Sami Lushtakut, vegla të hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit, përkatësisht njerëz që vetë kanë qenë të përfshirë në fushata kundër presidentit Rugova, apo edhe krijesa të tyre mediale.

Është e qartë se fjalën e kam për ata që më parë kanë qenë në qarkun e revistës “Koha” të Veton Surroit, e që më 1997, me leje të Ministrisë së Informatave të Serbisë, ishte shndërruar në “Kohë ditore”.

Mirëpo, pjesa më tragjike që duhet të sqarohet është çështja e vrasjeve politike në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, e cila ka vulën e strukturave të dala nga takimi Nano – Milosheviq në Kretë, e që u konfirmua nga Adem Demaçi, publikisht kishte deklaruar se Xhemail Mustafën e kanë vrarë dejmtë e luftës.

Kjo do të thotë se nëse pranohet se presidenti Rugova, lëvizja politike Liri, Pavarësi, Demokraci nuk kanë përfaqësuar filozofinë e përçarjes dhe të luftës brendashqiptare, ata, pra ata, që përdorën të gjithë mekanizmat medialë, që keqpërdorën edhe emrin e UÇK-së, jo si strukurë e dalë nga takimi Nano – Milosheviq në Kretë, por si organizim dhe përfshirje popullore, që keqpërdorën luftën dhe gjakun për të nxitur përçarje brendashqiptare, për të zhvilluar luftë speciale, agjitacion dhe propagandë kundër presidentit Rugova, kundër LDK-së dhe kundër gjithë organizimit politiko-institucional të Kosovës, ata pra janë pjesa e errët, destruktive dhe kundërkombëtare.

Pra, thelbi i çështjes nuk është a ka qenë apo jo presidenti Rugova pro apo kundër UÇK-së, por thelbi i problemit është se në emër të saj, struktura të dala nga takimi Nano – Milosheviq në Kretë, por që janë fshehur mbrapa emrit të UÇK-së, jo vetëm që kanë qenë kundër presdientit Rugova, por kanë bërë gjithçka për të instaluar përçarjen dhe vëllavrasjen, për të nxitur reagime dhe veprime që i kanë shkuar dhe i shkojnë për shtat vetëm Serbisë dhe aleatëve të saj.

Presidenti Rugova me filozofinë e tij politike  kanë nxitur, kanë realizuar dhe kanë vepruar në bashkëpunim, në unitet dhe në bashkërendim të plotë, ka ndërtuar pajtimin dhe shuarjen e hasmërive dhe ka ndërtuar një unitet të paparë jo në rajonin tonë, por edhe më gjerë.

Të tjerët janë ata që kanë realizuar filozofinë e përçarjes dhe të vëllavrasjes.