Pozicion i paqartë i Listës Serbe në Qeveri

15.07.2018 22:36:00
Po bëhen rreth katër muaj që Lista serbe ka deklaruar largimin nga qeveria.

Megjithëse nuk kanë hequr dorë nga pagat e tyre, e as privilegjet tjera, ministrat serbë në Qeverinë e Kosovës nuk kanë marr pjesë në mbledhjet e saj e as në mbledhjet e komisioneve parlamentare.

E ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikallo, i cili më herët është akuzuar për torturë dhe maltretim të qytetarëve të Prishtinës gjatë kohës së luftës, u kërcënua me shkarkim në rast se nuk raporton para deputetëve.

Megjithëse u kërkua shkarkimi i tij, kjo nuk ishte e mjaftueshme për shefin e Qeverisë.

Por, ndaj tij vazhduan pakënaqësitë.

“Prej se e ka marrë pushtetin kjo Qeveri, ministri Rikallo nuk ka ardhur fare në Kuvend”, ka thënë Zyba.

Kryesuesi i Komisionit për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Daut Haradinaj, ditë më parë paralajmëroi shkarkimin  tij, nëse nuk i përgjigjet ftesës së deputetëve për raportim.

“Ne do ta thirrim ministrin dhe ai do të vije. Hiq mos t’ua ndinë për atë punë, s’ka qare pa ardhë, ose vjen ose shkarkohet. Njëra nga këto dyja”, ka thënë Haradinaj.

E këtë deklaratë të Haradinajt, Rikallo e mori seriozisht. Ai u paraqit para deputetëve për të raportuar.

Se ky i fundit ka reflektuar po e thotë edhe një zëvendësministër i tij.

“Bashkëpunimi mes ne si zv/ministra  dhe ministrit, z. Rikallo, ka qenë një periudhë kur nuk kemi pasur ndonjë bashkëpunim për shkak të rrethanave që u krijuan në Veri dhe për shkak të mungesës në atë kohë të ministrit. Tani kem fillu një bashkëpunim të mirë, sepse ministri është duke ardhur në punë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se ministri megjithëse nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Qeverisë, ai nuk e ka ndërprerë punën si ministër.

“Ne e kemi zëvendësuar  në mbledhje të qeverisë që nuk ka marrë pjesë, ndërsa aktivitetin e  vet, punën në Ministri të Bujqësisë nuk e ka ndalur asnjëherë”, ka thënë Krasniqi.