Pranë Shtëpisë së Bardhë, “Trump Int. Hotel” i 200 milionë dollarëve (Video)

13.09.2016 23:39:03

Kandidati republikan për president, Donald Trump, po gjen çdo mundësi për t’iu afruar sa më shumë Shtëpisë së Bardhë. Miliarderi sapo përuroi një tjetër hotel luksoz të linjës “Trump International”, vetëm pesë blloqe ndërtesash larg shtëpisë presidenciale.

Vlera e rikonstruktimit të asaj që ka qenë godinë zyrtare, e ndërtuar në vitin 1899, arrin në 200 milionë dollarë, investim për të cilin u deshën dy vite për ta përfunduar.

Hoteli është luksoz , i shtrenjtë dhe kushton gati gjysmën e vlerës që ka Shtëpia e Bardhë. Lejen për ndërtimin e tij Trump e ka marrë në vitin 2014, një vit përpara se të fillonte fushatën presidenciale.

Por, nuk dihet nëse përzgjedhja e vendit ka qenë e menduar mirë!

Ndërsa stafi dhe të ftuarit morën pjesë në një ceremoni modeste, dhjetëra protestues u mblodhën jashtë dyerve të ndërtesës. Ata protestuan kundër murit që republikani ka deklaruar se do të ndërtojë në kufi me Meksikën.

Megjithatë, dhjetëra të tjerë vizituan ambientet e hotelit për të darkuar apo për të pirë diçka.

Hoteli ka 263 dhoma, përfshirë edhe një suitë që kushton 20 mijë dollarë nata. Muajin e ardhshëm, “Trump International Hotel” do të organizojë një ceremoni madhështore.

Edhe pse ka zëra se Donald Trump është i zhytur në borxhe, ky superinvestim tregon të kundërtën.