Prangimi politik i letërsisë

27.06.2018 17:19:11

Kapërcimi i mureve të diktaturës dhe demokracisë, në lëmin e letrave, nuk e realizojë pritshmërinë e publikut, për çlirimin nga varësia politike të artit dhe kulturës. Madje, në një kuptim, sërish mundet të flitet për vijimin e prangimit të letërsisë nga politika dhe burokracia letrare, kinse mësimdhënësit e shkollave të larta, të cilët në të gjitha rastet marrin përsipër rolin e dados, thënë ndryshe të rojtarit, që të udhëheqin lavrimin letrar, kur nuk ka nevojë për një gjë të tillë.

Nga: Behar GJOKA

Vërtet, flitet kundër realizmit socialist, si dogëm dhe idolatri, por Dr. dhe Prof. e djeshëm dhe të sotëm, me matësat e akademizmit mendjembyllur, bëjnë sa kanë në dorë që të mbajnë në këmbë vlerën e hierarkisë së realizmit socialist. Shpesh herë, duket se letërsia shqipe, ka nisur dhe është mbyllur vetëm me korifejtë e socrealizmit, ku ndonëse kanë shkruar edhe tekste me vlera, pamëdyshje pjesë e tij është edhe krijimtaria e Kadaresë, Agollit, Qoses etj. Paradoksi, ku përzëm dogmën e realizmit socialist, por rujamë ende malin e librave të shkruara simbas atij modeli, përpos të tjerash, pamundëson rikthimin real të Fishtës, Konicës, Skiroit etj. , si dhe kthimin në panteonin e letrave shqipe të Camajt, Pipës, Trebeshinës etj. Ka shumë gjasa, që rreken për ta ruajtur vlerën e hierarkisë socrealiste, për të krijuar hapësirën që të lëvrohet dhe vlerësohet, tashmë realizmi demokratik, ana tjetër e medaljes së bashkëjetesës së letrares me jashtëletraren. Puna ka mbërritur deri aty, saqë mjafton të kesh qenë në burg, të kesh një ditar të shkruar atje (respekt për sakrificat e të burgosurve të mendjes), të emërtuar si burgologji nga Agron Tufa, është e mjaftë për t’u shpallur shkrimtar i madh, madje gjeniu i letrave. Vetiu në këtë zallamahi të shkrimit letrar e joletrar, të vjen në mend sugjerimi i Harold Bloom, kur shprehet: Entuziazmi ideologjik nuk prodhon as shkrimtarë e as lexues të mirë-përkundrazi, shkakton keqformimin e tyre. (Si dhe përse të lexojmë, 2008: 170). Vijimi i prangimit politik të letërsisë, i triumfit të realizmit socialist dhe demokratik, ka jo pak shtysa, megjithatë është i rrokshëm në dy prirje:
-Nga njëra anë MASH-i, dikasteri i shkencës dhe arsimit, që lsynon dekomunistizimin e shkollës shqiptare, duke sugjeruar libra për diktatorin apo për të venë e tij, realizon efektin e përkundërtë, po ashtu ndikon për të mbajtur tehun e politikës në qendër të vëmendjes.
– Politikat kulturore me librin, të MTKRS-s, nga ana tjetër, sidomos me mënyrën se si organizohet konkursi i përvitshëm letrar, me juri të varuara përgjithësisht nga politika dhe burokracia letrare, madje edhe më ndarje bipartizan të fituesve, sikur përfaqësuesit e gjykimit të radhës, të ishin komisionerë të KQZ, ka krijuar përfundimisht lëngatën e letërsisë së çmimeve, që duket se i ka vënë vulën fitores së përkohshme të realizmave, bardhë e zi ose anasjelltas.
Simbioza e dy modeleve, që ruan piketat e politikës mbi letërsinë, përveç të tjerash, ka ardhur edhe prej ndihmesës së mësimdhënësave të filologjikut, të cilët dihet se janë bërë pjesë e dikastereve, si tekstebërës ose si çmimfitues, dhe në të gjitha rastet si çmimndarës, që nuk lënë rast pa kontribuar, në leximin e letërsisë me syzet, e realizmit socialist dhe demokratik, pra përjashtimor, përtej sinoreve të shijes dhe mëhallës së tyre. Për të parë se ku fle lepuri i akademizmit shqiptarçe, mjafton të hedhësh një sy mbi botimin e Letra-s, ku kritika letrare, promovohet si një statistikë botimesh, kinse e inventarizimit të titujve, e cila fakton se si vijohet logjika e mbetjes në prehrin e politikës të letërsisë, ose e vijimit të verifikimit zyrtar të letërsisë.