“Pranvera ballkanike” është e stisur nga Rusia, thotë diplomati i njohur shqiptar, Arjan Starova

13.01.2017 10:44:43
Nga Isuf Kurtaj

Situata në Ballkan nuk duket e qetë për shkak të acarimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, por dhe krizës së vazhdueshme në Maqedoni sidomos pas bashkimit të forcave shqiptare gjatë “orëve të fundit”. Por ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Arjan Starova duke analizuar situatën e fundit në Ballkan tha se nuk ka “acarim” të raporteve mes shteteve, edhe pse është dakord që Rusia po mundohet të shfrytëzojë këtë moment dobësie. Diplomati komenton dhe marrëdhëniet Kosovë-Serbi, pas arrestimit Ramush Haradinajt,si dhe ngritjes së murit në Mitrovicë në njërën anë, dhe zgjimin e faktorit shqiptar në një front të përbashkët pas zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni.

Po flitet gjithnjë e më shumë për një situatë të tensionuar në Ballkan. Në Mitrovicë është ngritur një mur, negociatat mes Serbisë dhe Kosovës janë ndërprerë dhe sikur të mos mjaftonin këto në Francë arrestohet dhe Ramush Haradinaj. Është ky një paralajmërim për një “pranverë ballkanike”, sa është e mundshme?

Çështja e ndryshimit të kufijve është një kapitull i madh. Ndoshta nuk është koha për të diskutuar, por mënyra se si po artikulohet në ndonjë media është tërësisht e gabuar dhe kontradiktore me realitetin. “Muri i Berlinit” që po diskutohet se po ngrihet në Mitrovicë duket se është artificial dhe i stisur, dhe nga një fakt shumë i thjeshtë. Para se të kishte mur atje ka pasur bllokadë me thasë prej rëre, i cili prapë mur është simbolikisht. Në këtë rast vetëm forma ka ndryshuar. Kur ishte mur prej rëre askush nuk thoshte mur i Berlinit po ngihet në Mitrovicë, tani që u bë mur betoni qenka ndryshe. Është qesharake. Unë nuk besoj se ka një situatë të rëndë të sigurisë në Ballkan dhe as marrëdhënie të acaruar mes shteteve të veçanta. E interesuar për qetësimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë dhe krejt rajonit nuk janë vetëm vendet tona, por është BE-ja dhe SHBA që vështirë se mund të tolerojë të precipitojë situata.

Nuk besoj se mund të kemi ndonjë acarim të skajshëm, por natyrisht dhe këto sinjale, siç janë bllokimi që mund të bëjë njëri shtet për tjetrin për proceset integruese nuk mund të themi se janë gjëra të mira. Tashmë rrjedha e marrëdhënieve mes shteteve në Ballkan ka ndryshuar dhe është shpresëdhënëse nëse e shohim në prizmin afatgjatë. Këto janë arsyet që më bëjnë të mendoj se nuk mund të kemi acarim për shkak se aktorët e mëdhenj që janë në lojë nuk e lejojnë këtë gjë. Nuk duhet të harrojmë se pala kosovare dhe ajo serbe janë të angazhuara për të arritur një lloj “pajtimi” për mungesën e fakteve, ose për fakte të vjetruara siç është rasti i arrestimit. Ka një sërë arsyesh që nuk e çojnë ekuacionin në drejtim të acarimit dhe destabilitetit. Komentet që bëhen me ngjyra tepër pesimiste janë të kota, dihet se kush është përpjekur këto kohë për të ndikuar në rajon kohët e fundit.

Për çfarë ndikimesh e keni fjalën?

Për përpjekjet që po bën Rusia për të lënë të kuptuar se nëse perëndimi zvarrit pa fund integrimin e shteteve të Ballkanit në BE ka dhe alternativa të tjera. Në media së fundi është luajtur shumë dhe kemi pasur këto kohë tullumbace diplomatike, por kjo është një gjë krejt e zakonshme dhe është bërë vazhdimisht.

Kush po e luan më shumë këtë ?

Unë dua të jem i saktë, Serbia, ndoshta, e ka luajtur këtë edhe mund ta luajë, por unë nuk mund ta them një gjë të tillë. Kjo mua më duket një situatë e stisur, e fryrë, e cila nuk i përgjigjet realitet të marrëdhënieve të shteteve në Ballkan.

Arrestimi i Ramush Haradinaj ka ngjallur irritim të madh tek shqiptarët. A mendoni se arrestimi i tij është pjesë e skenarit për të “acaruar” situatën në Ballkan?

I kam ndjekur qëndrimet e të gjithë palëve dhe konvergojnë pak a shumë në një pikë. Është pak e çuditshme në fakt kur shikojmë sjelljen e Francës, pasi Haradinaj ka qenë dy herë në Hagë, dhe në të dy rastet ka dalë i pafajshëm. Mjafton të përmendësh këtë dhe nuk ka pse të bëjmë komente të tjera. Unë jam me idenë që duhet marrim më shumë informacion për rastin, por me aq sa e kam ndjekur situatën, unë mendoj se shumë shpejt Ramush Haradinaj do të kthehet në Kosovë i lirë

Qendrimi  

Në Maqedoni partitë shqiptare na kanë surprizuar me platformën e përbashkët. A rrezikon Maqedonia të shkojë drejt destabilitetit? Është super lajm që më në fund shqiptarët në Maqedoni arrijnë të koordinohen. Arrijnë të tregojnë se janë një faktor i rëndësishëm në Maqedoni dhe mund të diktojnë politika qeverisëse, apo mund të influencojnë politikëbërjen. Është një lëvizje e mrekullueshme nuk është thjesht një kapriço, pasi shqiptarët kanë ende probleme me zbatimin e “Marrëveshjes së Ohrit”. Më në fund shqiptarët u treguan të pjekur dhe ditën të imponojnë, dhe tashmë ata do të luajnë rolin e “kingmakerit” përballë qeverisë. Ata do të vendosin se nga do të shkojë balanca e pushtetit. Si e lexoni rolin që po luan Shqipëria përballë kësaj situate të re?

Shqipëria ka qenë shumë konstruktive duke u munduar të nxisë marrëdhënie të qëndrueshme dhe të luajë rolin e pajtuesit mes dy vendeve. Edhe kur ka pasur debate si ato që kritikonin qeverinë se e ka tepruar duke folur në emër të Kosovës, unë mendoj se mirë ka bërë, sepse tek e fundit ka folur për probleme që ekzistojnë dhe këtë rol me shumë të drejtë mund ta luajë Shqipëria. Qëndrimet e qeverive serbe karshi Kosovës janë ato që kanë qenë, por nuk duhet harruar se tashmë Kosova është një shtet i njohur dhe Serbia po zhvillon negociata, të cilat do të kenë një fund të qartë në të mirë të Kosovës. Sjellja e politikës serbe ndonjëherë duhet kuptuar, sepse ata kanë opinionin e tyre të brendshëm me të cilin përballen.