Prenk Gjini, gjashtë dekada si mjeshtër i fyellit

15.08.2018 20:29:07
Afër kopeve të gjedhëve apo bagëtive gjithmonë ka qëndruar një bari, i cili luante melodi duke përdorur fyellin si vegël muzikore.

Këtë melodi sot rrallë herë mund ta dëgjojmë, por në shtëpinë e Prenk Gjinit nga fshati Dol i Komunës së Gjakovës, tingujt e fyellit dëgjohen shpesh, jo ngase mban kope, por ato i punon vetë tash e gjashtë dekada.

E kam mësuar nga babai zanatin si duhet të ndërtohet një fyell. Babain e kam pasur bari dhe ai kishte mësuar si punohet fyelli. Ai pastaj ma ka mësuar edhe mua. Të gjithë vëllezërit kemi mësuar si punohet fyelli”, thotë ai.

I moshuari tregon për RTV Dukagjinin se është ndër të rrallët që e ushtron këtë zeje, pasi sipas tij interesim për fyell më nuk ka.

“Ka pasur edhe fqinjë tjerë që janë marrë me këtë zanat po e kanë lënë, sepse fitimi është i vogël. Disa shokë të mi, që kanë ndërtuar fyellin janë nën dhe tashmë”.

Sipas tij, instrumentet shiteshin shumë dikur, por tash askush nuk po i blen edhe pse Prenku rrin në pazar gjithë ditën.

“Janë shit shumë më herët. Tash gjithë ditën rri në treg dhe nuk i blen kush, një apo dy më së shumti shiten”.

Ai thotë se në qytetet e mëdha ka shitje më shumë kur vijnë mërgimtarët.

“Dalë në Prishtinë, në Prizren kam shitur deri në 30 copa në ditë, kur po vijnë këta të huajt. Në Prishtinë as 20 nuk i kam shitur edhe pse është qyteti më i madh”, thotë Gjini, përcjell Telegrafi.

Zejtari tregon edhe për kohën që i merr ndërtimi i një fyelli.

“Kur kam qenë i ri për tri orë kam ndërtuar një fyell, tash as për gjashtë orë ndoshta nuk mund ta ndërtojë”.

Ai thotë se edhe çmimet janë të ulëta.

“Fyelli i madh kushton deri ne 15 euro, ndërsa të vegjlit kushtojnë 5 euro”, thotë Prenk Gjini, i cili shton se më mirë të punojë për 5 euro se të merret me punë të ulëta.