Presheva dhe rikthimi i vlerave

21.07.2016 15:48:47

Shkodran Ismaili

Ka shumë kohë që në Preshevë – periferia e heshtur e hapësirës shqiptare dhe harresës politike kombëtare mbretëron si një përbindësh një degradim i madh i vlerave – korpusit të mirëfilltë të të cilave çdo komb e shoqëri serioze mundohet ti buzëqeshë, por vetëm ne më duket se jemi përjashtimi! Tranzicioni i turbulllirave dhe krizave të çdo niveli na i ka mbyllë sytë dhe në hapësirë kanë dominuar rrugaçët, thashethemxhitë, aventurierët, banalët, cikërrimtarët, sahanlëpirësit e shumë të tjerë të cilët nuk krijojnë dot asnjë vlerë të qëndrueshme të një shoqërie të pjekur.

Presheva në zgjedhjet e fundit u duk se bëri një kthesë kah këto të fundit – vlerat (koha do ta jep gjykimin përfundimtar të çdo gjëje). Shembulli i kryetarit të tanishëm, ish-mërgimtarit Shqipërim Arifi që tanimë jeton e vepron këtu në Preshevën tonë të dashur, duket se ka marrë udhë për të mirë dhe këtë qytet të lodhur e rrudhosur nga hallet, dertet e gajlet e shumta të mbijetesës, ta kaplojë një “valë e rikthimit të gjërave në vendin e vetë”!?

Një gjë që më bëri përshtypje, e kam fjalën për këto vlera e që më bëri të mendoj thellë në këto ditë vape korriku, ishte takimi me një mik të nderuar – Kastriot Saqipin, i njohur nga opinioni si Kaqa: një regjisor i zoti dhe punëtor nga Presheva që shumë kohë jeton e punon në Prishtinë. Nuk njihemi dhe shumë gjatë kohë. Madje për të qenë i sinqertë është kafja e tretë apo e katërt që e ndaj kënaqësinë për ta pirë me atë e që të cilën nuk e ndjej fare në tavolinë nga muhabeti dhe diskutimi që zhvillojmë. Me kualitetin artistik të tij po mundohesha me gjet prehjen në këtë “shushlakin e tallavasë” që po na mbizotërojnë si në çdo hapësirë shqiptare.

Presheva – një shtyllë e Kosovës (prof. I. Kelmendi,) një qytezë, qytetet i vockël që ka emra të mëdhenj në gjithë hapësirën shqiptare në çdo sferë të jetës – tani ka nderin që sfidën e këtij njeriu që ka marrë guximin dhe e ka nuhatur “ndryshimin” me konkurrimin e tij për drejtor të Shtëpisë së Kulturës, ta bëjë atë realitet dhe ta sjell një frymë të re në këtë hapësirë.

Kishte dëgjuar për konkursin publik dhe kishte draftuar një projekt serioz, të cilin në muhabet kisha kënaqësinë të dëgjoja: vizionin e tij artistik për kulturën në përgjithësi e atë artistike në veçanti. Duke e njohur punën e mirë dhe kualitetin e paraardhësve në këtë shtëpi kulture, e sidomos të Naser Nuredinit që e ka filluar këtë rikthesë vlerash dhe e ka ringjallur atë, mendojmë se tani është koha që edhe më shumë t’i shtymë ato përpara. Nuk është se Shtëpia e Kulturës nuk ka profesionistë (të artit). Kemi disa që mburremi, mirëpo zotësia dhe profesionalizmi i Kastriotit dhe mbi të gjitha udhëheqja nesër me kulturën në Preshevë, mendoj se na kishte bërë nderë të gjithëve.

Fituesi i shumë çmimeve, regjisor i më shumë se tridhjetë shfaqjeve teatrale, filmave të shkurtër artistik, është emri i duhur i cili në këtë kohë kishte bërë punën më të mirë të mundshme!

Duke e dëgjuar me vëmendje vizionin dhe botëkuptimin e tij për zhvillimin e artit, krijova një bindje të thellë se ky njeri është i duhuri. Me shfaqjet të cilat mendonte t’i bënte këtu, mundësinë e themelimit të Teatrit profesionist të Preshevës (Luginës së Preshevës), punën me të rinjtë e Shkollave të Mesme për nxjerrjen dhe kultivimin e talenteve të rinj, bashkëpunimin me teatrot kombëtare e gjetiu dhe ato në qendra ballkanike… mendoj se ky është vetë ai i merituari i cili i duhet Preshevës.

Ndoshta mund të ketë pengesa ligjore (siç është provimi shtetëror dhe tjera), mirëpo pengesa tjera mendoj se s’mund të ketë për një njeri i tillë. Duke e pranuar kandidaturën e një jopartiaku (sepse për parti nuk do të ndijë ai) qeverisja e re (lexo: partia e re) i jep një leksion demokracie, madje edhe Tiranës e Prishtinës se si duhet të nderohet e çmohet puna, mundi e suksesi e jo bindja e puna partiake politike e tjera. Prandaj, është e udhës që të fillojmë të mësohemi t’i nderojmë edhe ne njerëzit tanë, sepse tjerët po na nderojnë ata, dhe të marrim udhë për të mbarë.