Presidenca thotë se nuk ishte në dijeni për takimin e përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin

21.06.2019 18:52:43

Nga presidenca e Republikës së Kosovës, kanë bërë të ditur se nuk kanë qenë të informuara për takimin e përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin.

Në përgjigjen e dhënë për Telegrafin nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, konsiderojnë se takimet të tillat të fshehta nuk i ndihmojnë procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

“Zyra e Presidentit nuk ka qenë e informuar për pjesëmarrjen e një ekipi të kryeministrit në takimin e fshehtë në Berlin dhe po ashtu nuk kemi marrë ende asnjë informacion zyrtar se çfarë është biseduar në këtë takim. Takime të tilla të paparalajmëruara, të fshehta dhe të pakoordinuara, nuk ndihmojnë në procesin e dialogut Kosovë – Serbi, aq më parë kur tashmë kemi Ekipin Negociator, i cili ka për detyrë negocimin e çfarëdo teme me Serbinë. Institucionet e Republikës së Kosovës e kanë për obligim kushtetues dhe ligjor që të jenë transparente para qytetarëve të Kosovës për një proces kaq të ndjeshëm dhe të rëndësishëm siç është dialogu Kosovë-Serbi”, thuhet në përgjigjen e dhënë për Telegrafin nga presidenca.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se takimi i djeshëm në Berlin i përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë nuk ka qenë i fshehtë dhe se për këtë i ka informuar edhe partnerët e koalicionit.

Për takimin në Berlin, kanë reaguar edhe dy partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Partia Socialdemokrate, të cilët e kanë quajtur të papranushëm një takim të tillë.