Presidenti amerikan Donald Trump anulon takimin me Kim Jong-un: I papështatshëm!

24.05.2018 18:10:02

Takimi i shumë pritur mes presidentit amerikan Donald Trump dhe liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka dështuar.

Lajmi është bërë i ditur nga Shtëpia e Bardhë, i cila ka njoftuar anulimin e takimit, i cili do të mbahej në 12 qershor në Singapor.

Trump i ka dërguar një letër liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ku i thotë se është e “papërshtatshme” të mbahej samiti i planifikuar historik.

Takimi ishte planifikuar muajin e ardhshëm në atë që konsiderohej samit historik diplomatik. Sipas CNN, letra e Trump dërguar Phenianit është bërë publike sot në mëngjes nga Shtëpia e Bardhë.

“Mjerisht, duke u bazuar në zemërimin e madh dhe armiqësinë e hapur të shfaqur në deklaratën tuaj më të fundit, unë mendoj se është e papërshtatshme, në këtë kohë, që të zhvillohet ky takim i planifikuar prej kohësh” shkruan Trump.

“Prandaj, ju lutem, le të shërbejë kjo letër për të paraqitur se samiti i Singaporit, për të mirën e të dyja palëve, por në dëm të botës, nuk do të ndodhë”.

Shkak për anulimin e takimit ka qenë edhe deklarata e zyrtares koreano-veriore, e cila e cilësoi nënpresidentin amerikan Mike Pence, si “budalla”.