Presidenti Bujar Nishani: Largimi i parakohshëm i Françeskut na hidhëroi të gjithëve

03.04.2017 22:31:57

Presidenti Bujar Nishani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të muzikantit, këngëtarit, kompozitorit dhe instrumentistit të shquar shqiptar, Françesk Radi. Në mesazhin e tij të ngushëllimit, Nishani thotë se Françesku ishte një muzikant i talentuar dhe autor i paarritshëm i një krijimtarie të pasur këngësh e kompozimesh.

“Të dashur familjarë të Françeskut të ndjerë,

Me hidhërim dhe dhimbje të thellë mësova lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të njeriut tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm.

Më lejoni që në këtë ditë të dhimbshme t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta, edhe në emër të qytetarëve shqiptarë, duke ju siguruar se në cilësinë e Kreut të Shtetit gjendem shpirtërisht pranë jush në këto çaste tejet të vështira e të trishtueshme!

Me largimin e parakohshëm nga kjo jetë të Françeskut të ndjerë, muzikës shqiptare, kolegëve dhe admiruesve të tij do t’u mungojë intepretuesi virtuoz, këngëtari i rrallë, tekstshkruesi gjenial, muzikanti i talentuar dhe autori i paarritshëm i një krijimtarie të pasur këngësh e kompozimesh, që pasuron cilësisht e në mënyrë origjinale thesarin e trashëgimisë muzikore bashkëkohore e shpirtërore të popullit shqiptar.

Edhe një herë ngushëllimet më të ndjera dhe Françeskut i pastë dritë shpirti përjetësisht! Bujar Nishani”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit