Presidenti i EPP-së, Joseph Daul: EPP është krenare që ka në gjirin e saj parti si LDK, partia e parë në Kosovë pas rënies së komunizmit

23.12.2016 19:29:51

Presidenti i partive Popullore Evropiane, ka uruar kryeministrin Mustafa dhe LDK-në me rastin e 27 vjetorit të themelimit të saj. Në urimin e tij, që e quan porosi, z. Daul ka shprehur lumturinë e tij dhe të EPP-së për faktin se LDK është në gjirin e saj, ka shprehur vlerësime për lidershipin e kryeministrit Mustafa në drejtimin e LDK-së dhe të Qeverisë së vendit, ka shprehur, po ashtu, vlerësime për të arriturat në rrugën e integrimit të Kosovës në BE, me ç’rast ka theksuar nënshkrimin e MSA-së.

Më poshtë mund ta lexoni të plotë porosinë – urim të presidentit Daul  drejtuar kryeministrit Mustafa dhe LDK-së:

“Porosi nga Presidenti i EPP-së Joseph Daul

Përvjetori i 27-të i LDK-së

23 dhjetor 2016

I dashuri Kryeministër Mustafa,

Të dashur anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës,

Të dashur miq,

Me rastin e përvjetorit të 27-të të partisë suaj, jam shumë i lumtur t’ju dërgoj urimet dhe përgëzimet më të mira.

EPP-ja është krenare që ka në gjirin e saj një parti si LDK-ja, partia e parë në Kosovë pas rënies së komunizmit.

Që nga ajo kohë, ju e keni dëshmuar veten si një parti e përgjegjshme, duke kërkuar dialog konstruktiv dhe duke u përqendruar në zgjidhje konkrete. Në këto kohëra të vështira në të cilat po jetojmë, ju duhet të vazhdoni ta ndjekni këtë rrugë. Ju duhet të vazhdoni ta qeverisni vendin tuaj në mënyrë të përgjegjshme dhe të punoni për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit në bashkëpunim të ngushtë me fqinjët tuaj.

Siç e them gjithnjë, Bashkimi Evropian kurrë nuk do të jetë i plotë pa vendet e Ballkanit. Ju jeni pjesë e familjes evropiane, dhe ne mezi presim t’ju urojmë mirëseardhje. Por që kjo të jetë e mundur, duhet akoma punë. Duhet të vazhdoni të jeni të përqendruar në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët tuaj, në luftimin e korrupsionit dhe në ndërtimin e sundimit të ligjit dhe pavarësisë së gjyqësorit.

Lidershipi dhe qeverisja e mirë që kryeministri Mustafa dhe LDK-ja e kanë dëshmuar, janë fundamentale për këtë proces.

Tanimë është shënuar mjaft progres: Marrëveshja e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian hyri në fuqi më herët gjatë këtij viti; keni përparuar drejtë plotësimit të kushteve nga udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave; dhe Kosova ka dëshmuar rritje të fuqishme ekonomike duke e fituar besimin e investitorëve dhe të organizatave ndërkombëtare financiare.

Përpjekjet tuaja nuk duhet të ndalen asnjëherë. Puna e juaj, me përkrahjen e familjes së EPP-së, duhet të vazhdojë.

Mezi pres ta vizitoj Kosovën në të ardhmen e afërt, dhe edhe njëherë ju uroj të gjitha të mirat për përvjetorin tuaj të 27-të.4

Joseph Daul

President i EPP-së.”