Presidenti i Parlamentit Europian: Të hapen negociatat me Shqipërinë

17.10.2019 18:52:35

Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli është shprehur “pro” çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në hapje të samitit të liderëve të BE që zhvillon sot punimet në Bruksel, Sassoli deklaroi se Parlamenti Europian mbështet hapjen e menjëhershme të nevociatave të pranimit dhe se do jetë e vështirë të shpjegohet pse po vonohet kjo gjë.

“Ne mbështesim hapjen e menjëhershme të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Komisioni Evropian është në favor të kësaj dhe ne do ta kemi të vështirë t’i shpjegojmë njerëzve të atyre vendeve pse e vonojmë atë”, deklaroi Sassoli.

Ai ka theksuar se është detyra e BE t’i përgjigjet përpjekjes së këtyre vendeve. “Kur ne u bëjmë thirrje vendeve fqinje të bëjnë një përpjekje shtesë për të ndryshuar dhe ata e bëjnë këtë, është detyra jonë që të përputhemi me këtë përpjekje”, është shprehur Presidenti i PE.