Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin thotë se nuk do të ketë hakmarrje të menjëhershme ndaj Amerikanëve

30.12.2016 22:45:52

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha sot se Moska nuk do t’i dëbojë diplomatët amerikanë, duke e përjashtuar mundësinë e hakmarrjes së menjëhershme, pasi Shtetet e Bashkuara i kanë përzënë 35 zyrtarë rusë, për shkak të sulmeve kibernetike që synonin ndërhyrjen në zgjedhjet amerikane, pastaj spiunim dhe keqtrajtim të diplomatëve amerikanë në Rusi.

Deklarata e Putinit u bë në momentin kur zyrtarë të tjerë të lartë rusë kanë sinjalizuar se do të godasin me masa të kthimit në përgjigje të dëbimeve nga ana e Shtetve të Bashkuara, që ishin pjesë e pakos së masave të shpallura nga presidenti, Barack Obama.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, ia dërgoi Putinit listën prej 35 diplomatëve amerikanë dhe rekomandoi përzënien e tyre dhe mbylljen e një objekti për pushim në Moskë, që shfrytëzohej nga personeli i Ambasadës amerikane.

Por, në deklaratën e Putinit në faqen në Internet të presidencës së Rusisë, thuhet se ai e ka bërë të qartë se dëshiron të shihet më ndryshe, dhe ta paraqes administratën Obama si hakmarrëse.

Putin tha se masat e Shteteve të Bashkuara, të shpallura mbrëmë nga presidenti amerikan, Barack Obama, ishin “jomiqësore” dhe “synojnë shkatërrimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ruso-amerikane”.