Presidenti i Shqipërise, Ilir Meta viziton Manastirin në ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe: Moment historik për shqiptarët

22.11.2017 00:55:42

Në kuadër të vizitës zyrtar në Maqedoni, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte në Manastir me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

I mikpritur nga Kryetarja e Komunës Natasha Petrovska, me të cilën zhvilloi fillimisht edhe një takim si dhe Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes Kornizë, Hazbi Lika, Presidenti Meta vizitoi Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, pastaj mori pjesë në simpoziumin e zhvilluar me rastin e 109-vjetorit të kësaj ngjarje të shënuar historike për kombin shqiptar.

Në fjalën e tij në eventin e mbajtur, Meta ka vlerësuar se, 22 nëntori është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore.

“Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi. 36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë. Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912”, ka thënë Meta.

“Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni”, ka thënë Meta.