Presidenti Nishani ngre alarmin: Krimi i organizuar do të tentojë të kapë zgjedhjet parlamentare

10.01.2017 19:09:06

Presidenti i vendit Bujar Nishani ka ngritur shqetësimin për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në 18 qershor 2017.

Sipas kreut të shtetit, krimi i organizuar do të tentojë të influencojë në zgjedhje përmes shit/blerjes së votave.

“Viti i ardhshëm është një vit zgjedhor.  Standardet e zgjedhjeve të ardhshme janë shumë të rëndësishme për të gjithë ne. Por më duhet të them edhe shqetësimin tim pasi evidenca serioze tregojnë se grupe të caktuara të botës së krimit do tentojnë të influencojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

I bëj thirrje partive politike, lidershipit që me përgjegjësinë që ka të adresojë me shumë kujdes këtë sfidë. Krimi nuk ka ngjyrim, ai është vetëm i zi dhe kthehet në një dëm të madh për këdo”, deklaroi Presidenti gjatë pritjes së përvitshme me përfaqësuesit e mediave në vend.