Presidenti Thaçi deklaroi se do të filloj iniciativën për shëndrrimin e FSK-së në ushtri

05.03.2017 12:36:23

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kushtetuta e Kosovës, atij si komandant suprem i jep kompetenca të mjaftueshme për të ndërmarrë iniciativën e ndryshimit të Ligjin e FSK-së. Prandaj shumë shpejt, brenda kompetencave të tij kushtetuese do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore që transformimi të bëhet realitet edhe nëpërmjet ndryshimit të ligjit.

Thaçi në ceremoninë ushtarake të FSK-së, të organizuar në kuadër të “Epopesë së UÇK-së”, tha se si asnjëherë më parë më 5 mars 1998 u zhvillua një luftë e pabarabartë me armatim dhe në njerëz, ku familja Jashari u përball me një makineri të pafund të serbëve, por kjo familje me një vendosmëri qëndroi deri në fund.

Thaçi tha se “rezistenca e familjes Jashari ka hyrë në analet e kombit tonë si ndër sakrificat më madhore. jo epope u shndërrua si asnjëherë më parë u shndërrua në forcë mobilizuese e të gjithë atyre atdhetarëve që kishin pritur momentin që të jenë në një ushtri me emrin autentik”.

Presidenti Thaçi shtoi se “asnjë qëndrim i caktuar i çarqeve jo dashamirëse nuk mund ta njollos Ushtrinë Çlirimtarë të Kosovës. Edhe të burgosurit e UÇK janë heronjtë e popullit e Kosovës”.

“UÇK mbetet trashëgimia jonë më madhe dhe më e pasur që ka krijuar. Ashtu siç do të jetë e përjetshme sakrifica e Jasharajve dhe gjithë dëshmorëve, ashtu do të jetë e përjetshme lavdia dhe emri i UÇK”, tha ai.

Ai shtoi se tri vite më parë si kryeministër ka paralajmëruar transformimin e FSK-së në ushtri por fatkeqësisht edhe sot realiteti është i njëjtë, por ndryshimi që do të ndërmerr, do ta bëjnë FSK-në ushtri që do të jetë në shërbim të paqes në rajon dhe botë.