Presidenti Thaçi kërkon vizion dhe lidership nga koalicioni qeverisës për liberalizimin e vizave

21.02.2017 14:27:59

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar unitet të spektrit politik në çështjet e interesit thelbësor për qytetarët e Kosovës, në përgjithësi, dhe në çështjen e liberalizimit të vizave më specifikisht.

Në një postim në rrjetet sociale, Presidenti Thaçi ka thënë se “liberalizimi i vizave duhet të ndodhë tani dhe ky është interes nacional dhe shtetëror” dhe ka shtuar se “përgjegjësia për ta arritur këtë qëllim fillimisht i takon koalicionit qeverisës, e pastaj edhe partive opozitare të cilat fatkeqësisht të gjitha veprimet e tyre i kanë përqendruar në përpjekjet për të bllokuar ratifikimin e kësaj marrëveshjes”.

Presidenti Thaçi ka ftuar “për unitet spektrin politik në këtë çështje të interesit thelbësor për qytetarët e vendit” dhe ka ritheksuar se “kur bëhet fjalë për vendime të interesit shtetëror, koalicioni qeverisës duhet të tregojë se ka forcën politike, vizionin dhe lidershipin që të marrë vendimet e drejta dhe të domosdoshme”.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka përsëritur mesazhin se për BE-në janë plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, përveç ratifikimi të demarkacionit me Malin e Zi.

“Në dy javët e fundit kam takuar Presidentin Junker, Presidentin Tusk, Presidentin Tajani, Përfaqësuesen e lartë Mogherini, Komisionerin Hahn dhe Komisionerin Avramopoulos dhe secili prej tyre ma ka konfirmuar se ratifikimi i Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi është duke e mbajtur peng vendimin përfundimtar për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovë”, ka shkruar Presidenti Thaçi në postimin e tij në rrjetet sociale.

Duke folur për vet marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, Presidenti Thaçi ka thënë se “është bërë krejtësisht e qartë nga shumë komisione të pavarura, kosovare e ndërkombëtare, se demarkacioni me Malin e Zi është i drejtë dhe se territori i Kosovës nuk cenohet për asnjë metër si rezultat i ratifikimit të kësaj marrëveshje” dhe ka ftuar që Qeveria e Republikës së Kosovës të procedojë “projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në ditët në vijim”.

“Deputet e Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet vënë interesin shtetëror përpara atij personal apo partiak, dhe me votën e tyre pro kësaj marrëveshje, t’i japin fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, ka kërkuar Presidenti Thaçi.

“Ftoj gjithë spektrin politik që, pa dallim përkatësie politike apo etnike, të bashkohen për të ardhmen europiane të Kosovës”, ka përfunduar ai.