Presidenti Trump në Mëngjesin e Lutjeve

07.02.2019 19:47:13

Presidenti Donald Trump tha se do të jetë gjithmonë në mbrojtje të njerëzve të besimit. Ai i bëri komentet në Mëngjesin Kombëtar të Lutjeve sot në Uashington.

Presidenti Trump i falënderoi udhëheqësit fetarë për mbështetjen ndaj përpjekjeve për reformën e drejtësisë penale që ka ndërmarrë administrata e tij. Ai tha se nën drejtimin e tij, administrata lufton për të mbrojtur liritë fetare. Presidenti tha gjithashtu se besimi është një element qëndror për familjen dhe lirinë amerikane.

“Ne, tha ai, duhet të ndërtojmë një kulturë që mishëron dinjitetin dhe pacenueshmërinë e jetës së pafajshme njerëzore. Të gjithë fëmijët, të lindur e të palindur, janë pasqyrim i imazhit të shenjtë të Zotit”.

Mëngjesi i Lutjeve mbahet të enjten e parë të çdo muaji shkurt dhe që nga viti 1953 bashkon në një sallë presidentë, politikanë, udhëheqës fetarë dhe personalitete të tjera të vendit si dhe të huaja.

Disa pjesëmarrës që e morën i bënë thirrje Presidentit Trump dhe kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi që të lenë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të pajtohen për hir të së mirës së përgjithshme.

Akvititeti i përvitshëm zhvillohet ndërkohë që vendi përballet me afatin e 15 shkurtit që mund të çojë përsëri në një mbyllje të pjesshme të qeverisë, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth ndërtimit të një muri në kufirin me Meksikën.

Presidenti Trump dhe kryetarja e Dhomës Pelosi morën pjesë në Mëngjesin e Lutjeve së bashku me më shumë se 180 anëtarë të Kongresit.