Presioni kunder speciales

Presioni kunder speciales

14.03.2017 09:20:12

Veteranët e UÇK-së së fundmi po kërkojnë amendamentimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, përderisa gjatë miratimit të saj nuk është bërë një kërkesë e tillë. Ka indikacione se po kjo temë po nxitet nga disa politikanë, të cilët i frikësohen kësaj Gjykate.

Kërkesa e veteranëve për ta ndryshuar Ligjin për Gjykatën Speciale, në mënyrë që të kërkohet drejtësi për të gjitha krimet e kryera në Kosovë gjatë luftës (jo vetëm ndaj njërës palë, UÇK-së), konsiderohet të jetë e parealizueshme.

Madje, ekspertët e çështjeve juridike vlerësojnë se kërkesa e tyre, pikërisht në prag të funksionalizimit të Speciales, vjen si presion publik dhe është e dirigjuar nga politikanët të cilët ndihen të rrezikuar nga Specialja.

Njohësit e së Drejtës Penale Ndërkombëtare konsiderojnë se ndryshimi i këtij ligji është i pamundur si në aspektin juridik, ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Por, pavarësisht tyre, përfaqësuesit e familjeve të dëshmorëve e veteranëve konsiderojnë se ky ligj do të ndryshohet. Ata shprehen optimistë se për një gjë të tillë do ta kenë edhe përkrahjen e deputetëve, duke përfshirë këtu edhe ata që kanë votuar pro kësaj Gjykate.