Prezëntojmë Librin poetik: “Nëse …A e di?!” Nga Nikolin Gurakuqi

15.03.2019 02:24:00

Përgaditi: Albert Z. Zholi
Hyrje
Libri i ri me poezi: “Nëse …A e di ?!”, i autorit Nikolin Gurakuqi, vjen pas 3 botimesh cilësore që ky poet modern ka sjellë tek lexuesi për afro 6 vjet. Duke shfletuar librin e ri, them me ndërgjegje të plotë, se pashë një Nikolin të ri, me një poezi moderne, me një ndërthurje idesh plot vizion, ku optimizmi dhe pesimizmi kundërshtojnë njëra-tjetrën dhe njeriu gjen rrugët e zgjidhjes në jetë. Ky vëllim poetik dhe pse nuk ka një ndarje sistematike kapitujsh, nëse e studion me kujdes përcjell brenda teje tre kategori poezish. E para janë poezitë lirike, e dyta poezitë filozofike dhe e treta poezitë social-politike. Në poezitë lirike si gjini e mirëfilltë letrare, autori herë i përmbahet traditës, herë shpërthen në mënyrë individuale si një intelektual me botë të madhe njohurish. Thënë thjeshtë, lirikat e Nikolinit shënojnë një qasje të dukshme ndaj poetikës moderne pasi vihen re tipare e procedime stilistike të simbolizmit, formalizmit tipare të pranishme në krijimtarinë lirike të këtyre viteve të fundit.
Poezia filozofike
Poezia filozofike është një tipar tjetër i këtij vëllimi poetik. Ndoshta duke njohur mirë poetin tonë të parë filozof, Naim Frashërin, autori ka shkruar një numër të dukshëm poezish filozofike, të cilat tregojnë botën e tij të madhe intelektuale, njohjen e ideve të filozofëve të mëdhenj botërorë, pasi shtjellon natyrshëm në poezi ligjet e natyrës.
Poezia social-politike
Nikolini na prezantohet me disa poezi në të cilat e rreh mjaft mirë motivin social dhe politik të shoqërisë shqiptare. Në libër autori me vargje na paraqitet me sfidat e shqiptarëve për të siguruar kafshatën e bukës, të cilët, përpos rreziqeve të shumta, përsëri janë të detyruar të punojnë jashtë atdheut në mërgim por edhe në Shqipëri me pagesë në kushtet e ekzistencës. Autori tregon se të gjitha prapësitë, problemet sociale, vijnë nga politika e mbrapshtë shqiptare. Duket se në këto raste autori luan në mënyrë të pavetëdijshme rolin e një analisti, të një analisti të pavarur dhe pa asnjë ndikim politik. Pra libri i ri i Nikolinit është një qasje e re në poezinë shqiptare ku ai në çdo hap të jetës shikon, vëzhgon problemet, anët e errëta të shoqërisë, shikon fenomenet negative të shoqërisë dhe i kritikon ato dhe bën thirrje për zgjim qytetar. Por ajo që dua të veçoj dhe që vetë lexuesit do t’i bjerë në sy menjëherë, është dashuria e pafund e autorit për detin. Ja si i drejtohet poeti detit:

Revoltë detare

Nganjëherë detit i pëlqen vetja,
Lyhet me flori,
I vendosur, i braktis idealet,
E rrokulliset stinëve i lidhur nyje,
I veshur me zili.
Kafshon buzët e çara nga zemërimi,
I trembur ndihmë kërkon,
Nga të ngjashëm si ai,
Por kur veten e sheh të vetmuar,
Prangat prej hekuri i nxjerr nga thellësitë,
Dhe vetes i prangos lirinë!