Prindërit akuzojnë mjekët për vdjekjen e fëmijës së tyre në spitalin e Pogradecit

03.10.2016 15:54:15

Mbrëmjen e djeshme në spitalin e Pogradecit një foshnje ka ndërruar jetë 4 ditë pasi kishte lindur. Sipas mjekëve dhe familjarëve foshnja kishte lindur në gjendje të mirë shëndetësore, madje kishte dalë edhe nga spitali. Por një komplikacion i papritur i ka shtyrë prindërit e rinj Agron dhe Suela Hyka ta dërgojnë menjëherë në spital, ku dhe ka ndërruar jetë.

Familjarët të tronditur nga kjo ngjarje e cila ishte e papritur për ta, kanë akuzuar mjekët, sepse ata e kishin konfirmuar se foshnja kishte lindur në gjendje të mirë shëndetësore. Rastin për vdekjen e fëmijës e ka konfirmuar edhe drejtori i spitalit të Pogradecit, Genti Cala. Por për sa i përket shkakut kryesor që mund të ketë çuar në vdekjen e foshnjës ai ka sqaruar se do të japë një përgjigje vetëm pasi të mësohet zyrtarisht e vërteta.

Policia e Pogradecit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje për të marrë në pyetje mjekët dhe familjarët. Ndërkohë trupi i foshnjës është dërguar në morgun e këtij spitali, për tu bërë ekspertiza mjeko-ligjore.