Prishtinasit do të mund ta rregullojnë online lagjen e tyre

22.11.2016 12:50:53

Komuna e Prishtinës tash e tutje do të mund të diskutojë online me qytetarët e Prishtinës. Kjo ngase Komuna po synon të lëshojë në qarkullim Platforma digjitale për pjesëmarrje publike.

Kjo Platformë do t’u mundësojë qytetarëve që të prezantojnë projektet e tyre për rregullimin e lagjeve të tyre, dhe ato projekte do të mund të votohen nga banorët e asaj lagjeje. Platforma është bërë në bashkëpunim me OSBE-në dhe deri në Janar të vitit të ardhshëm do të jetë në testim.

“Çdo qytetar mund të propozojë projektet për lagjen e vetë, jo për lagjet tjera. Pastaj vetëm qytetarët e asaj lagjeje kanë të drejtë të votojnë për atë projekt. Ky projekt do të rritë transparencën në vendimmarrje”, tha drejtori i Administratës, Muhedin Nushi, i cili e ka  prezantuar platforma digjitale për pjesëmarrje publike, raporton lajmi.net.

Nushi ka thënë se për këtë platformë janë trajnuar 54 persona dhe se fillimisht do të jenë pilotë projekte.

“Momentalisht Platforma online të kësaj natyre do të zhvillohen vetëm në dy qytete, sot në Prishtinë e më pastaj edhe në Gjakovë. Kjo është bërë në bashkëpunim me OSBE-në”, tha drejtori Nushi.

Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti tha  se Komuna e Prishtinës tha se me këtë platformë, nuk do të anashkalohen debatet publike, por bisedimet të bëhen në mënyrë online.

“Jemi të interesuar që sa më shumë të marrim propozime nga lagjet. Kur kësaj platforme ia shtojmë edhe E- Inspektoratin, atëherë kemi komunikim online më të madh me qytetarët. Por, kjo nuk do të anashkalojë diskutimet publike të përhershme që i kemi me qytetarët duke u takuar drejtpërdrejt me ta”, tha Ahmeti.

Dritarja e Platformës digjitale për pjesëmarrje publike është publikuar në ueb faqen e Komunës së Prishtinës.