Pritje dhe nervozë rreth paradhënies për ndihmë

23.08.2016 21:02:45

Banorët e zonave të prekura sot shumën e paradhënies për ndihmë në lartësi prej 30.000 denarë e kanë pritur me orë të tëra. Pagesa ka filluar diku në orët e pasdites, për të cilën arsye njerëzit e tubuar reagonin me nervozizëm.

Për një pjesë prej tyre vonesa ishte për shkak se në mënyrë plotësuese është kontrolluar nëse janë në mesin e banorëve të cilët kanë të drejtë për ndihmë.

Sipas tyre kontrolli ka zgjatur me orë të tëra dhe disa kanë qenë të detyruar të kthehen nga dy herë. Një pjesë e banorëve kanë dalë me nervozë pasi që nuk e kanë gjetur veten në listat.

“Emrin po e kontrolloj po ende nuk po mundem ta gjej. Këtu është një listë, te xhamia është një listë dhe te shkolla 25 maji, d.m.th tre lista sa i di unë. Ende emrin nuk e kemi gjetur. Unë kam telefonuar ditën e shtunë, i kam dhënë emrin mbiemrin, numrin amë dhe në cilën bankë afariste të lëshohen mjetet”, është ankuar një banor i Hasanbegut.

Disa prej të anketuarve madje ankohen se në listat në fjalë më shumë figurojnë emra të banorëve të fshatit Stajkovcë, Creshovë dhe Straçincë dhe jo të banorëve të Hasabegut.

“Emri im nuk është në listë, edhe përmes telefonit e kemi dhënë, edhe këtu e kemi shkruar dhe sërish nuk është në listë. Jo vetëm unë, po shumë emra nuk janë. Këtu ka më shumë për Straçincë, Stajkovcë, Creshovë ndërsa të Hasanbegut shumë pak janë. Kjo listë është sikur këtu sikur të xhamia e vjetër, listë të re nuk ka, këto lista i pamë edhe dje. Manipulim i madh është këtu, jo vetëm për këtë, po edhe për ndihma, për pastrim, manipulim shumë i madh është”, ka thënë një banor tjetër.