Problemi në zemër dhe Guardiola, rrëfehet Sinan Bytyqi

20.04.2018 23:59:19

Sinan Bytyqi ishte një nga lojtarët më premtues te skuadra e të rinjve të Manchester Cityt. Gjithsesi, një problem në zemër bëri që ëndrra e djaloshit me origjinë nga Kosova, për t’u bërë futbollist i madh, të ndërpritej në mes. Gjithsesi klubi anglez nuk e braktisi, përkundrazi i dha atij një detyrë të re, për të mos e shkëputur nga pasioni i tij, futbolli.

“Merrem me lojtarët që Manchester City ka huazuar nëpër botë. Jemi një skuadër prej 6 personash dhe detyra ime është ajo e vëzhgimit. Unë i mbështes, i ndihmoj dhe në fund bëj një raport për paraqitjen e tyre në fushë”, thotë Bytyqi.

Në shtator të vitit 2014, Bytyqi pati mundësinë të ulet në stol të skuadrës angleze, për një ndeshje të Kupës së Ligës, pas dëmtimit të papritur të mbrojtësit Nastasiç. 22-vjeçari ka pasur fatin të jetë për një muaj nën urdhrat e Pep Guardiolës. Ai e kujton kështu atë periudhë:

“Ishte fazë përgatitore dhe kam mësuar më shumë në atë muaj sesa në të gjithë karrierën time. Kur të vinte një pasim, Guardiola të thoshte si duhej të ndaloje topin dhe të paraqiste situata të ndryshme loje në varësi të ndalimit të topit. Kjo nuk ndodh me trajnerët e tjerë”.