Procesi i ndarjes së Kosovës është proces 20 vjeçar i Hashim Thaçit që synon ta çojë deri në fund!

05.06.2018 16:34:47

Nga Rexhep Kastrati

Dhe ja ku jemi: pas ndarjes së Kosovës mbi baza etnike më 1998-1999, pas konsolidimit të kësaj ndarjeje gjatë viteve 2000-2003, pas legjitimimit ndërkombëtar të kësaj ndarjeje, më 2004-2006, pas zyrtarizimit juridiko-kushtetues vendor dhe ndërkombëtar të kësaj ndarjeje, më 2008, pas strukurimit të kësaj ndarjeje, më 2008-2010, pas specifikimit ndërkombëtar dhe ligjor të kësaj ndarjeje, më 2011-2013, Kosova ka hyrë në fazën përmbyllëse të lartësimit të kësaj ndarjeje, që nga viti 2014-2016, tashmë jemi në fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili po përflitet, po përmendet në variante të ndryshme: krijimi i një “Republika Srpska” në Kosovë, ndarja e saj sipas skenarëve ukrainas dhe i ashtuquajturi shkëmbim territoresh.

Në gjithë këto faza, që nga viti 1998 e deri më tash, pra më 2018, pra gjatë 20 viteve, Hashim Thaçi ka qenë në krye të këtij procesi, i cili kishte dhe ka për qëllim të rrënojë në tërësi projektin unik, të plotë, gjithëpërfshirës dhe kombëtar, të presidentit Rugova, dhe për të rikthyer në tavolinën e negociatave shqiptaro-serbe pikërisht elemente hegjemoniste, historike, raciste, dhe pansllaviste që nga “Naçertanja” e Ilia Garashaninit, ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, e vitit 1844 e deri në Memorandumin e dytë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, të hartuar më 2011 nga Dobrica Qosiq, i ashtuquajturi baba i kombit serb, dhe nga Lubomir Tadiq, babai i presidentit të atëhershëm të Serbisë, Boris Tadiq.

Përkundër përpjekjeve të presidentit Rugova për të minimizuar dhe pamundësuar veprimtarinë destruktive të Hashim Thaçit dhe të dy linjave kryesore kundërkombëtare: linjës së Tiranës/Kretës, në krye me Hashim Thaçin, dhe linjës udbasho-jugosllavokomuniste, në krye me Veton Surroin, megjithatë shpërthimi i luftës dhe monopolizimi i saj nga linja e Tiranës/Kretës, kishte nxjerrë në plan të parë Hashim Thaçit. Si rezlutat i kësaj, në Rambuje do të ndodhë atentati politiko-institucional dhe diplomatik mbi organizimin politiko-institucional të Kosovës dhe në krye të negociatave në Rambuje dhe në Paris, më 1999, do të vijë Hashim Thaçi, i cili që atëherë do të bëjë përpjekje të mëdha për kinimizmin dhe margjinalizimin e presidentit Rugova dhe të rolit të tij në zhvillimet e rëndësishme në Kosovë dhe rreth saj.

Takimi i Hashim Thaçit me popin Artemije dhe me Momçilo Trajkoviqit ende pa marr fund përfundimisht lufta dhe ende pa u çlriuar çdo pjesë e Kosovës, duhet të kuptohet vetëm si vazhdimësi të angazhimeve të tij në procesin e ndarjes së Kosovës që në terren kishte marr fund qysh gjatë luftës dhe ishte vulosur me mashtrimin e madh të mjekëve dhe punonjësve të tjerë të spitalit ë veri të Mitrovicës e që ishin nisur që të shkonin në atë spital.

Edhe pse presidenti Rugova dhe LDK vazhdonin të ishin fuqishëm të mbështetur nga qytetarët, të cilët e refuzuan linjën e Tiranës/Kretës me votë dhe me çdo formë tjetër të refuzimit, megjithatë strukura administrative e ndërtuar nën tutelën e UNMIK-ut, vazhdonte të ishte vazhdim i strukturës së Rambujesë, e që në vendim-marrje e nxirrte në pakicë LDK-në, duke zvogëluar fuqinë vendim-marrëse të saj dhe duke rritur fuqinë e të tjerëve, pra edhe të Hashim Thaçit.

Në planin e strukurimit dhe organizimit institucional, një goditje të rëndë presidenti Rugova dhe LDK morën në zgjedhjet e para të përgjithshme, më 2001, kur edhe pse shënuan fitore të thellë, megjithatë u detyruan që pushtetin ekzekutiv, pra pushtetin real, atë pushtet që jep fuqi dhe para, e së këndejmi edhe mundësi për të kontrolluar institucionet, por edhe ekonominë, t’ia jepnin PDK-së dhe Hashim Thaçit. Edhe pse formalisht nuk u bë kryeministër vetë Hashim Thaçi, ishte e qartë se ai kishte kontroll mbi Qeverinë.

E vetmja mundësi që i kishte mbetur presidentit Rugova ishte që të mbante postin e Presidentit, në mënyrë që të kishte rol udhëheqës në negociatat për statusin e Kosovës, dhe në këtë mënyrë të pengonte procesin e ndarjes së Kosovës, proces që tash gjendet në fazën përfundimtare.

Pra, në këtë mënyrë, presidenti Rugova synonte atë që po përmendet tash: që Hashim Thaçi të mos i udhëheqë negociatat për statusin e Kosovës.

Mirëpo, ajo që ndodhi, vërtet është e rëndë: me ta paraqitur platformën për negociata të Vjenës, e cila duhej të ishte sekrete, u dekonspirua medietikisht. Ky ështe mesazh se sado që ishte në krye të Ekipit negociator, presidenti Rugova ishte i pafuqishëm për të çuar misionin  deri në fund, dhe se do të sabotohej, do të pengohej dhe do të ballafaqohej me të gjitha vështirësitë e mundshme. Ky ishte messazh për diplomacinë ndrëkombëtare, me qëllim që të paraqitej presidenti Rugova një lider i dobët dhe i pafuqishëm që nuk mund të ketë rolin kryesor në procesin negociator për statusin e Kosovës.

Dhe fill pas kësaj: a vdiq presidenti Rugova, apo e kanë mbytur me ndonjë injektim të ndonjë virusi? Kjo është një pyetje që shtrohet që nga koha kur ai ka kaluar në amshim, më 21 janar 2006, por që më tepër është pasuar me teori të ndryshme konspirative. Po atë vit, LDK do të marrë goditjen e fuqishme, ndoshta më të fuqishmen: do të bëhet copash dhe to mundësojë që të fillojë një pieriudhë e gjatë e Hashim Thaçit, i cili me komoditetin më të madh do të realizojë hap pas hapi projektin për ndarjen e Kosovës, për çka edhe ishte në skenën politiko-institucionale të Kosovës.

Roli i LDK-së do të zbehet plotësisht pas qëndrimit arbitrar nga ana e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit presidenti Sejdiu kishte shkelur kushtetutën ngaqë na qenkësh edhe president shteti, edhe kryetar partie, ani që funksionin e dytë e kishte ngrirë.

Pas kthimit nga Vjena kur ishin mbyllur negociatat e Vjenës, më 2007, presidenti Sejdiu do të deklaronte: kemi bërë kompromis të dhimbshëm!, duke iu referuar atij që më vonë do të quhet Propozimi Gjithëpërfshirës për Statusin e Kosovës, apo Pakoja e Ahtisarit, duke nënkuptuar se ai ishte kompromisi i dhimbshëm dhe përfundimtar.

Pas largimit të president Sejdiut, Hashim Thaçi kishte pushtet absolut dhe duart e lira për të bërë të gjitha kompromiset që i ka bërë që nga viti 2011 e deri më tash, e të cilat e kanë vështirësuar shumë funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe e kanë rikthyer fuqinë e Serbisë në rregullimin dhe funksionimin e brendshëm të Kosovës.

Zgjedhja e Isa Mustafës kryeministër, në fakt, ishte një mënyrë për të dobësuar fuqinë e Hashim Thaçit, por që doli të ishte një përpjekje e pasuksesshme, pasi që ashtu siç krijuan perceptimin edhe ndërkombëtar për pafuqinë politike të presidentit Rugova, kishin arritur me më lehtësi të krijonin perceptimin për pafuqinë politike të kryeministrit Mustafa, i cili sabotohej hapur nga të tijët, pikërisht të nxitur dhe të kontrolluar nga njerëz si Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Edhe pse Isa Mustafa ishte kryeministër, Hashim Thaçi në asnjë rrethanë nuk ka rreshtur se takuari me Aleksandër Vuçiqin, madje edhe së punuari mbrapa krahëve të kryeministrit Mustafa, siç ishte rasti edhe me çështjen e nismës ligjore për FSK-në.

Pra kishte dy procese: ai legal që zhvillohej në Bruksel, i cili, edhe pse me pasoja për Kosovën që vinin si rezultat i të udhëhequrit të tyre nga Hashim Thaçi, dhe një proces ilegal që zhvillohej ndërmjet hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit në qendra të ndryshme ndërkombëtare.

Ky procesi i dytë, në fakt, ishte vazhdim i procesit të filluar qysh më 1998, e që duhej të përmbyllej: 1. me ndarjen e Kosovës; 2. me të ashtuqusjtrin shkëmbim territoresh, dhe; 3. krjimin e një “Republika Srpska”, e që në bazë të përcaktimeve kushtetuese të Kosovës dhe të parimeve të Bandinterit, përkatësisht të Grupit të Kontaktit për Kosovën, nuk mund të realizohen, por që mund të realizohen vetëm nëpërmjet formave të ndryshme destabilizuese.

Në fakt, Hashim Thaçi tashmë po synon që të bashkojë të dy proceset: të Brukselit dhe të tijin me Vuçiqin dhe duke mos përjashtuar as destablizimin e vendit dhe ndonjë formë tjetër kundërdemokratike të mundësojë qoftë krijimin e një “Republika Srpska” në Kosovë, qoftë edhe ndarjen e Kosovës qoftë edhe si shkëmbim territorial.

Në këtë kontekst duhet kuptuar edhe deklaratën e tij sipas të cilës Kosova na qenkësh e gatshme për kompromise të tjera!

A mund ta pengojë kush në këtë rrugë?

Nëse do të kishte shenja se do të mund të pengohej, atëherë do të pasonte një krizë institucionale, zhvillime destabilizuese që mund të kenë përvijime të shumta dhe që do të krijonin kontekste për realizim të lloj-lloj skenari.