Procesi i zgjedhjes së Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës ka qenë fer dhe transparent, thotë ministri i Financave, Avdullah Hoti

08.02.2017 21:00:14

Ministri i Financave, Avdullah Hoti ka shpjeguar në një postim në facebook çështjen e zgjedhjes se drejtorit të Doganave të Kosovës, e që ishte temë e konferencës për gazetarë të cilën z. Hoti e mbajti sot bashkë me ambasadorin britanik, z. O’Connel.

Në këtë postim, ministri Hoti ka dhënë detaje si për aspektin procedural, po ashtu edhe në aspektin e kandidaturave që ishin paraqitur.

“Sot me Ambasadorin e Britanisë së Madhe mbajtëm konferencën për media lidhur me procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të përgjithshëm të Doganës së Kosovës. Ky proces ka qenë plotësisht transparent dhe ka vendosur një standard të lartë në përzgjedhjen e personave në pozita të larta udhëheqëse në institucionet e Kosovës. Është hapur konkursi në përputhje me Kodin Doganor dhe Akcizave të Republikës së Kosovës dhe është themeluar Komisioni përzgjedhës. Kanë konkurruar 22 kandidatë, prej të cilëve 12 janë ftuar në intervistë.

I gjithë procesi është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me partnerin tonë implementues dhe Ambasadën e Britanisë së Madhe në Prishtinë. Komisioni në dakordim me Partnerin impelmentues ka sjell tek unë listën e ngushtë me tre emra të renditur sipas poenëve që kanë arritur në intervistë. Në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit, Kryeministri i Republikës së Kosovës z.Isa Mustafa sot ka nënshkruar vendimin për zgjedhjen e Drejtorit të Doganës të z. Bahri Berisha, pasi që ka dalur kandidati më i suksesshëm në procesin e konkurrimit.

E falënderoj Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë Ruairi O’Connell për mbështetjen dhe kredibilitetin që i ka dhënë këtij procesi.

Ky është emërimi i parë në pozita të larta në bazë të Memorandumit të Mirëkuptimit që ka nënshkruar Ambasadori i Britanisë së Madhe me Kryeministrin e Republikës së Kosovës dhe Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Që është një sukses i plotë dhe që ka siguruar një transparencë maksimale gjatë gjithë këtij procesi, dhe unë besoj që do të jetë një shembull në emërime tjera të larta në kuadër të institucioneve të Republikës së Kosovës.” – thuhet në postimin e ministrit Hoti.