Profesorët “supermenë” të UP-së me mbi 5 punime shkencore për një vit e gjysmë (Video)

28.07.2018 15:48:03

Para disa ditësh, Senati i Universitetit të Prishtinës ka mbajtur mbledhjen e radhës, gjatë së cilës ka avancuar profesorë nga Fakulteti Ekonomik, Fakulteti Filozofik, Fakulteti i Filologjisë dhe Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike.

Për këto avancime ka reaguar Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim, me theks te avancimi i tetë profesorëve të rregullt në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, të cilët i kanë quajtur “Supermenët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike”.

Drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Rron Gjinovci, ka thënë se publikimet e këtyre profesorëve dhe revistat në të cilat janë publikuar, janë të dyshimta, dhe se të njëjtat materiale me sqarime ia kanë dërguar edhe Senatit.

“Në këtë grup të avancimeve ka kalu edhe grupi i atyre që ne i quajmë ‘Supermenët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike’, të cilët brenda një viti e gjysmë kanë nga 5.5 punime në revista, siç mendohet shkencore. Ndërkohë që kolegët e tyre në Norvegji arrijnë t’i publikojnë vetëm 0.96 punime. Pra, aktualisht, profesorët e rregullt të cilët janë avancu sot, e kalojnë pesëfishin e kolegëve të tyre në Norvegji. Duke e ditë se në çfarë situate janë universitetet në Kosovë, sa shpenzohet për shkencë në Kosovë, këtu janë vetë, dy mundësi: ose Kosova përnime e ka kalu Norvegjinë, që është e pamundshme, ose revistat në të cilat kanë publiku, janë të dyshimta”, ka thënë Gjinovci.

Sipas Gjinovcit, përkundër kërkesës së tyre, Senati nuk ka bërë ndonjë verifikim të këtyre punimeve dhe ka thënë se mbledhja e Senatit ka kaluar në heshtje.

“Zakonisht dekanët i përgatisin edhe flasin për secilin kandidat. Sot kjo nuk ka ndodhë, është pa që është gjithçka e prearanzhuar. Të gjithë kanë ardh aty me një marrëveshje të heshtur, veç janë lexu emrat, veç është votu, të gjithë janë sillë sikur me qenë robotë, asnjë diskutim i vetëm nuk është bë për asnjë prej kandidatëve. Kjo situatë tregon një degradim të procesit të avancimeve nga viti i kaluar. Vitin e kaluar nuk kemi pasë asnjë kandidat që ka kalu pa meritë, ndërkaq kësaj radhe, na tashmë i kemi evidentu 16 deri në 18 raste të cilat kanë probleme të ndryshme duke nisë nga shkelja e rregullores së vetë senatit”, ka thënë Gjinovci për KosovaPress

Ndërsa prorektori  i UP, Naser Sahiti ka thënë se të gjitha aplikacionet e profesorëve kanë kaluar nëpër instancat formale të parapara me statut dhe kanë marrë vlerësime pozitive nga Komisioni vlerësues i Fakultetit dhe Këshilli i Fakultetit.

Sipas tij, aplikacionet kanë qëndruar 15 ditë në shqyrtim të hapur për opinionet dhe nuk kanë marrë vërejte sipas raportit të Fakultetit.

“Secilin rast, rektori, para se ta hudh në votim, i ka ftu anëtarët e Senatit që të shprehin opinionet e tyre. E ka hap debatin edhe ka kërku që kushdo që ka diçka, ndonjë çështje, ta merr fjalën. Në shumicën e rasteve nuk ka pasë të interesuar për debat. Ka pasë raste kur ka pasë kundërshtime edhe abstenime në propozimet e bëra. Këto lidhen kryesisht me rastet që senati, respektivisht propozimi i rektorit ka qenë të kthehen në fakultet për rishqyrtim”, ka thënë Sahiti.

Ndërsa, sa i përket cilësisë së punimeve të profesorëve që janë avancuar, prorektori ka thënë se është detyrë e komisionit të vlerësojë dhe se ata veprojnë në bazë të rregullores para se t’i emërojnë profesorët.

“Në rregullore parashihet që profesorët punimet e tyre t’i kenë të indeksuara në bazat akademike të caktuara. Ato baza janë specifiku në rregullore edhe nëse profesori i ka ba publikimet e veta, janë të indeksuara në ato baza akademike, ne nuk mund të kërkojmë më shumë jashtë rregullores. Çështja e numrit të publikimeve ma shumë apo  më pak nuk ka ndonjë kufizim në të cilin na do të mund të thirreshim dhe t’i sanksiononim kandidatët”, ka thënë Sahiti.

Në mbledhjen e senatit të UP-së të mbajtur më 23 korrik, janë avancuar këta tetë profesorë të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike: Ahmet Shala, Azem Kyçyku, Mirlind Bruci, Naser Lajçi, Nehat Qehaja, Ramë Likaj, Rexhep Selimaj dhe Xhevat Berisha.