Profesori i UP-së ka marrë shtatëmijë euro pagë – për një muaj!

17.12.2016 20:45:47

Profesori i Universitetit të Prishtinës, Safet Merovci, ka marrë një pagë prej 7,289 eurove në muajin janar të këtij viti. Për katër muajt e parë të vitit 2016, Merovci ka marrë një pagë mesatare prej rreth 4,000 eurove.

Profesori i cili ligjëron në Fakultetin Ekonomik, e arsyeton pagën me angazhimin e tij në Universitet. Në një prononcim për Klan Kosovën, ka thënë se mban mësime shtesë për të rritur shumën e pagës së tij.

“Rroga e profesorit të asocuar neto është 1,238.23 euro. Paga shtesë është edhe për gjashtë orë mbi normë, që e mbajmë mësimin në Master. Ekonomiku e ka edhe degën në Mitrovicë. Shtesat i marrim vetëm përmes ligjëratave”, ka thënë Merovci.

Ai shton se nuk merr para pa vendim ligjor dhe se të gjitha transaksionet e pagës së tij bëhen përmes bankës.

Ish-ministrja e Energjisë dhe Minierave të Kosovës, Justina Pula, e cila ligjëron në Universitetin e Prishtinës, merr një pagë mesatare prej 2,800 eurove në muaj. Si profesoreshë në Fakultetin Ekonomik në UP, Pula për katër muaj gjatë këtij viti ka marrë 11 mijë e 260 euro nga paga e saj.