Profesori ndërkombëtar zbulon takimin në Pekin për ndarjen e Kosovës: Ja çka i është premtuar Thaçit dhe Ramës

21.02.2019 13:09:52


Nga Enver Bytyçi

Raportet mes Kosovës dhe SHBA-së janë në pikën më të ulët që kanë qenë ndonjëherë. Në letrën e fundit të dërguar nga SHBA për heqjen e taksës ndaj Serbisë, janë paralajmëruar edhe sanksione të reja. E në anën tjetër, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po keqpërdorë raportet me SHBA duke e shitur “marrëveshjen me Serbinë”, si diçka që populli po e kërkon.

Por a mund të ketë sanksione të reja për Kosovën nga SHBA dhe pazarin për ‘korrigjim kufiri’ Thaçi po e bën për qëllime personale që t’i shpëtojë Gjykatës Speciale?

Lidhur me këtë, për “Kosova Sot”, ka folur profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

Ai është shprehur se mundësia e ngritjes së sanksioneve nga SHBA është një formulë presioni për heqje të taksës.

“Presioni me këtë lloj formule i bëhet drejtpërdrejt kryeministrit Ramush Haradinaj, sepse gjithçka lidhet me taksën dhe vendosmërinë e tij për të mos e heqë atë. Dihet tashmë se SHBA-të, përkatësisht klani i zotit Bolton, kanë bërë letra dhe presione të vazhdueshme për heqjen e taksës. Në fakt kur taksa u vendos në nëntorin e vitit të kaluar kishte miratimin e Uashingtonit. Ata që e miratuan veprimin e zotit Haradinaj ishin në kabinetin Trump. Vetëm pak kohë më pas presidenti amerikan e shkarkoi personin në fjalë. Sekretari Amerikan I Mbrojtjes iku, por taksa mbeti. Po ta vëzhgosh ftohtë këtë proces, atëherë del se Haradinaj duhet të ndryshojë për shkak të ndryshimeve në SHBA”, deklaron për “Kosova Sot”, profesor Bytyçi.

Më tej, ai thekson se Kosova për SHBA-në është një Jerusalem, një territor i shenjtë, është porta e parë dhe kryesore e përballjes gjeopolitike kundër fuqisë ruse dhe rrezikut rus.

“Mjafton ky fakt për të provuar se SHBA-të në asnjë rrethanë nuk vendosin sanksione kundër Kosovës. Shqiptarët në Kosovë janë aleati më i sigurt dhe i sinqertë i amerikanëve. Prandaj nuk do të ketë asnjëherë sanksione ndaj saj. Por presion ka e do të ketë. Kjo sepse për këtë është I interesuar  një nga figurat ë të njohura politike, vetë këshilltari i Sigurisë Amerikane, Jon Bolton, i cili në CV e tij ka shënuar vetë anëtarësimin në lobin rus dhe serb në politikën amerikane. Ai është i vetëdemaskuar me kundërshtimin që i ka bërë njohjes nga Uashingtoni të shtetit të pavarur të Kosovës vetëm dy ditë para shpalljes së pavarësisë”, është shprehur ai.

Sipas tij, Thaçi është vënë në kërkim të aleatëve ndërkombëtar për ndarjen e Kosovës.

 “Është i pranuar fakti se presidenti i Kosovës, pasi u bë agjitator i Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vuçiq për ndarjen e Kosovës, u vu në kërkim të të gjithë autoriteteve që e mbështesnin atë në këtë aventurë. Në Amerikë gjeti zotin Bolton. Ai ishte i gatshëm që t’i vinte në ndihmë Thaçit për ta realizuar ëndrrën e Milosheviçit për veriun e Trepçën e Kosovës”.

Profesor Bytyçi ka treguar se edhe takimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama me atë serb, Aleksandër Vuçiq në Samitin e mbajtur në Pekin, në të cilin është diskutuar për planin e ndarjes së Kosovës.

“Për mua, kjo ide është diskutuar më zemërgjerësi në tetor 2014 në Pekin, kur Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq shkuan në Samitin 16+1 të organizuar nga qeveria kineze. Atje Vuçiq u mor me dy çështje, me investimet kineze në Serbi dhe me çështjen e ndarjes së Kosovës. Të parën e pati si agjendë me qeverinë kineze, të dytën si agjendë me Edi Ramën. Kanë diskutuar në detaje se çfarë do të përfitojnë këta të dy për realizimin e këtij projekti. Ramës i janë premtuar që aso kohe aksione në Trepçën e administruar, menaxhuar dhe sovranuar nga Beogradi. Rama e pa propozimin e Vuçiq si të volitshëm sepse ishte e rrezikshme për të të investonte aksione në një Trepçë, të menaxhuar nga qeveria e Kosovës. Kësisoj Rama mori përsipër edhe implikimin e Thaçit në këtë aferë antikombëtare”, ka thënë Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, Rama dhe Thaçi luftojnë me plotë energji për realizimin planit të ndarjes së Kosovës.

“Nuk e kemi parë Hashim Thaçin e Edi Ramën të shpenzojë kaq shumë energji për ndonjë projekt madhor në shërbim të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës, sa për ndarjen e Kosovës. Kjo është arsyeja pse Thaçi adresohet te lobet ruse e serbe për ndarjen e Kosovës dhe mbështetjen e këtyre lobeve e shet si mbështetje të SHBA-ve. Kur Clinton urdhëroi bombardimet e NATO-s në Kosovë, ai e bëri këtë duke refuzuar propozimin e Milosheviçit për ndarjen e saj. Kur Geog Ë. Bush e deklaroi Kosovën të pavarur në Tiranë ë 10 qershor 2007, ai adresoi planin Ahtisaari, sipas të cilit kufijtë e Kosovës nuk mund të ndryshohen. Thaçi nuk I takon dhe nuk kërkon ndihmë te themeluesit amerikanë të shtetit të Kosovës, port e lobi serb e rus në Uashington. Nëse do të pyeste Clinton ose Bush, do të merrte një grusht të paparë turinjve”.

Për fund, Bytyçi është shprehur se Hashim Thaçi është vegël në duart e Beogradit e të Moskës.

“Sigurisht që ai ka frikë nga Gjykata e Hagës, sepse 70 mijë faqe akt-akuzë gjenden në duart e prokurorit serb për krimet e luftës. Për t’i shpëtuar kësaj gjykate Thaçi u hëngri kokën bashkëluftëtarëve të tij të luftës. Tani kërkon ta ndajë atdheun e shqiptarëve, Kosovën. Vuçiq i ka dhënë fjalën zotit Thaçi: “Nëse punon për ndarjen e Kosovës atëherë akt-akuza kundër Thaçit nuk shkon në Hagë”! Por i janë premtuar dhe benefite të tjera financiare, deri te pastrimi i parave të krimit dhe korrupsionit”, ka përfunduar , profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.