Projekti ‘Borea’ kishte nisur pa leje, pret zhbllokimin nga ‘Qeveria Hoti’

27.09.2020 20:29:03

Komuna e Pejës kishte nisur projektin rekreativ “Borea” pa marrë lejë mjedisore nga niveli qendrore. Andaj, në fund të vitit 2019, ministria e Ambientit pezulloi punimet. Projekti tash po pret që të aprovohet Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, pasi ky dokument që disa muaj është në procedurë të dërgimit në Qeveri dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës për aprovim.

Projekti më madhor që po synon ta jetësohet nga komuna e Pejës, qendra rekreative “Borea” është aktualizuar në debatin publik në Kosovë.

“Një projekt i mirë për Pejën dhe Kosovën ka pas nisur para dy vitesh, me 1 shtator. U pata solidarizu me këdo që u emocionua nga nisja e “Borea”. Përkundër pozicioneve politike, projektin e pata mbështetur duke qenë i bindur se është në të mirë të Kosovës dhe rajonit. Jemi në shtator të vitit 2020. Projekti është bllokuar. Pse?!”, shkroi para disa ditëve deputeti i AAK-së Daut Haradinaj.

Pak ditë më vonë, Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka treguar se cilët sektorë pritet të përfitojnë nga marrëveshja e financimit amerikan, që u nënshkrua më 4 shtator në Uashington. Ai shkroi se njëri nga to është edhe projekti “Borea”, shkruan lajmi.net.

Por, çka ka ndodhur më këtë prektë të cilit i ishte prerë shiriti në një ceremoni madhështore në vitin 2017, punimet për të cilin kishin nisur në shtator të vitit 2018?

Rajan Arapi, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit në Komunën e Pejës tha për lajmi.net, se projekti është ndalur nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe se për rifillimin e tij duhet miratimi i një dokumenti nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Meqenëse unë përfshij dikasterin e mbrojtjes dhe urbanizimit, në kompetencat tona ka qenë vetëm dhënia e kushteve të ndërtimit dhe procedurat tjera për të filluar puna. Sa jam i informuar nga zyra e kryetarit thuhet se ministria e ka ndërprerë për shkak se i ka munguar leja mjedisore, dhe leja mjedisore nuk i është dhënë sepse ajo zonë ku ndërtohet Borea konsiderohet pjesë e Parkut Nacional, e dimë se parku nuk ka akoma planë hapësinor për të vepruar dhe ky planë është i draftuar dhe pritet që shumë shpejt të miratohet nga Qeveria e Kosovës, mirëpo akoma nuk është miratuar, në pritje të saj është për këto arsye është pse është ndërpre puna”, tha Arapi.

Ardian Berisha, shef i grupit parlamentar të AAK-së në Kuvendin komunal të Pejës mendon se edhe po të lëshohet leja mjedisore për këtë projekt, ai nuk do të mund të përfundojë dhe disa vite. Sipas tij, akoma nuk është bërë shpronësimi i pronave nëpër të cilat kalon projekti. Duke diskutuar për temën, Berisha tha se projekti ka qenë i fushatës zgjedhore.

“Ky është projekt i dështuar që në start. E kam potencuar edhe më herët se ky ka qenë projekt i Gazmend Muahxherit për fushatë zgjedhore. Tenderi i ishte dhenë një kompanie më të dhëna financiare fantome. Aty është venë gurthemeli pa u bërë shpronësimi. Do të shkojnë edhe disa vite e nuk do të mund shihet ky projekte, sepse çështja e shpronësimeve nuk do të mund tu shmangët gjykatave, e dimë se sa rrinë lëndët në gjykatat tona. Mandej, po ashtu, projekti ka nisur pa një elaborat të mjedisit”, tha Berisha për lajmi.net.

Ministria e Ambientit ka thënë se parcelat ku është paraparë ndërtimi i projekti i “Borea” është në zonën e Parkut Nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Sipas ministrisë, plani hapësinor për Parkun Kombëtar Bjeshkët e Nemuna ende nuk është aprovuar, për këtë edhe janë pezulluar lejet për ndërtime. Sipas ministrisë, Instituti i Planifikimit Hapësinor ka rekomanduar që lënda mos të shqyrtohet deri në aprovimin e dokumentit në fjalë andaj Deklarohet i pezulluar procedimi administrativ i kërkesës për Pëlqim Mjedisor me nr.prot.: 19/1965/2-287/DMMU, të kompanisë “ Fileit” L.L.C. Pejë, për Pëlqim Mjedisor për Kompleksi i hoteleve dhe stacioni i teleferikut (Qendra turistike Borea), në Bellopojë, Komuna e Pejës.

Mësohet, se deri më tani, në këtë projekt, janë investuar më shumë 1.5 milionë euro. Ndërsa, kostoja e jetësimit pritet të kap shifrën 53 milionë euro dhe është në partneritet publiko-privat.

Në vitin 2017, Komuna e Pejës zgjodhi një kompani në pronësi sllovene dhe korzenciomi italiano-franceze, “Leitner Ag Spa- Filav Sa”  për investimin në projektin turistik “Borea”.

Kontrata e nënshkruar për projektin “Borea” pati marrë aprovimin nga Komiteti për Partneritet Publiko Privat në gusht të vitit të kaluar.

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxhiri, pati dhënë edhe detaje të projektit.

“Ky konsorcium do ta ndërtojë teleferikun me 68 kabina, i cili do të jetë i gjatë diku 4200 metra, dhe është teleferiku i dyte më i madh në Evrope. Diku – nëse llogaritet mesatarja për vit – 6.9 për qind të qarkullimit bruto që do ta bëjë ky konsorcium – do t’i jepet Komunës së Pejës”.