Prokurori: Kemi prova të mjaftueshme për terrorizëm kundër aktivistëve të VV-së

29.12.2016 15:36:42

Prokurori special, i angazhuar në rastin e sulmit me mjet shpërthyes ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës në gusht të këtij viti, thotë se u ka besuar provave që i ka para vetes kur ka ngritur aktakuzë ndaj katër aktivistëve të VV-së.

Më herët, Prokuroria Speciale konfirmoi se ndaj Atdhe Gashit, Frashër Krasniqit, Egzon Halitit dhe Adea Batushës është ngritur aktakuzë për terrorizëm për sulmin që ndodhi natën e 4 gushtit.

“Besoj se ka prova të mjaftueshme për të argumentuar këtë aktakuzë. Kemi përdorur provat të cilat i kemi pasur në kallëzimin penal dhe disa prova të tjera rrethanore përfshirë deklaratat e dëshmitarëve”, tha prokurori i rastit Abdurrahim Islami.

Ai tha se aktakuza ka të bëjë vetëm me rastin e sulmit ndaj Kuvendit, dhe jo me rastet tjera të gjuajtës së mjeteve shpërthyese, të cilat ishin të shpeshta atyre ditëve.

“E tërë aktakuza ka të bëjë me sulmin në kuvend ndërsa rastet e tjera të sulmeve gjatë asaj kohe mbeten të hetohen”, shtoi prokurori Islami.

Përderisa katër aktivistë të VV-së tashmë e kanë gjetur veten në listën e të akuzuarve për terrorizëm, ndaj njërit prej tyre, Petrit Ademit, hetimet kanë pushuar.

“Për Petrit Ademin kam vendosur me i pushu hetimet për shkak se nuk ka prova të cilat e inkriminojnë atë në kryerjen e veprës penale”, tha Abdurrahim Islami.

Hetimet kanë pushuar edhe ndaj Astrit Deharit, i cili muajin e kaluar u gjet i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren, në pritje të intervistimit nga ana e prokurorisë.