Prokuroria e do të pandehur, vendoset data për gjykimin e Saimir Tahirit

15.03.2019 14:07:35

Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur sot datën kur do të zhvillohet seanca paraprake për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Më 21 mars, në orën 12:00, Tahiri do të “përballet” me Prokurorinë, që ka kërkuar marrjen e tij të pandehur nën akuzat për trafiki të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në një grup kriminal.

Gjyqtarja e dosjes “Tahiri” do të jetë Miliana Muça. Ndërkohë, dosja përbëhet nga 50 fashikuj dhe brenda këtyre 10 ditëve, gjykata do ta shqyrtojë dhe do të dalë me një vendim.

Më herët, avokati i Tahirit, është shprehur se do të kërkojnë pushimin e çështjes, me pretendimin se akuza nuk ka prova për akuzat e ngritura.

Më 28 shkurt, Prokuroria për Krime të Rënda mbylli hetimet dhe çoi dosjen e Saimir Tahirit në Gjykatë me akuzën për “Trafikim të lëndëve narkotike” në kuadër të grupit të strukturuar kriminal “Habilaj” dhe “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë”.

Krahas Saimir Tahirit, nën akuzë janë vendosur edhe tre ish-zyrtarë policie, që të tre prej një viti në arrati.