Prokuroria e njofton familjen se si vdiq Astrit Dehari

18.11.2016 15:26:02

Prokuroria Themelore e Prizrenit ka pranuar sot raportin e autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për aktivistin e ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit përmes një komunikate për media.

“Menjëherë pas pranimit të këtij raporti, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha e ka ftuar përfaqësuesin e familjes Dehari, avokatin Tomë Gashi, që së bashku me prindërit e të ndjerit Astrit Dehari, gjatë ditës së sotme të vijnë në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, për ta pranuar një kopje të raportit, si dhe për tu informuar për të gjeturat gjatë procesit të autopsisë”, thuhet në këtë komunikatë.

“Për hir të transparencës dhe informimit të drejtë të opinionit publik, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, në konsultim me familjen Dehari ndërkohë do ta informoj opinionin publik me rezultatet e raportit të pranuar sot nga Instituti i Mjekësisë Ligjore”, thuhet tutje në komunikatë.

Avokati Tomë Gashi ka njoftuar se në ora 15:15 do ta marrë këtë raport.